Familjarët e personave të zhdukur kërkojnë ndihmë nga Presidentja

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur sot në një takim një grup të përfaqësuesve të familjarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të cilët i paraqitën kërkesat për zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre.

Lajme

27/03/2015 16:34

Përfaqësuesit e familjarëve të personave të zhdukur theksuan se institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare duhet të shtojnë përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur që prej 16 vjetësh, duke kërkuar angazhimin e drejtpërdrejt të Presidentes në bashkërendimin e të gjithë mekanizmave institucionalë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Sipas njoftimit nga Presidenca e Kosovës, thuhet se familjarët theksuan se është një domosdoshmëri që së bashku me bashkësinë ndërkombëtare të kërkohet identifikimi dhe përcaktimi i të gjitha lokacioneve ose varrezave, ku dyshohet të gjenden trupat e pajetë të qytetarëve të Kosovës.

Ndërkaq, presidentja Jahjaga theksoi se mos zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një plagë e rëndë për Kosovën dhe se institucionet janë duke punuar në zbardhjen e fatit të tyre.

“Mos mbyllja e kësaj plage të rëndë të shoqërisë së Kosovës, që ka mbetur e hapur qe 16 vjet, po mban peng edhe procese të tjera të normalizimit të jetës në vend”.

“Përpjekjet për zbardhjen e fatit të të zhdukurve duhet të shtohen po aq sa edhe përpjekjet për të vënë në vend drejtësinë dhe i siguroi familjarët e personave të zhdukur për mbështetjen e plotë të saj për zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre”, ka thënë Jahjaga.