Familjarët e pensionistëve të vdekur i vjelin buxhetit të Kosovës mijëra euro

Edhe pas vdekjes, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale vazhdon të jep pensione. Madje vetëm gjatë vitit 2016, vlera e pensioneve që janë dhënë për personat e vdekur arrin në 115 mijë euro.

Lajme

23/06/2017 22:16

Madje Auditori ka gjetur raste kur pensionet ishin paguar deri në 12 muaj pas vdekjes së përfituesve.

“Sipas Ligjeve përkatëse të skemave pensionale dhe rregullave të aplikueshme, pensionet duhet të ndalen pas vdekjes së përfituesve. Nga krahasimi i të dhënëve ndërmjet MPMS dhe ARC-së, kemi konstatuar se gjatë vitit 2016, pensionet e paguara pas vdekjes së përfitueseve, arrin vlerën 115,006€. Vlen të theksohet se kishte raste kur pensionet ishin paguar deri në 12 muaj pas vdekjes së përfitueseve”, thuhet në raportin e Auditorit për MPMS-në, raporton lajmi.net.

Në gjetjet e auditorit kanë zënë vend edhe përfitimet e pensioneve nga persona të cilët punojnë apo që realizojnë të ardhura personale.

Edhe në këtë ministri sikur edhe në shumë tjera, janë gjetur se ushtruesit e detyrës mbajnë këto pozita më tepër kohë se tre muaj sa realisht është e parapri me ligj.

“Sipas Ligjit për Shërbimin Civil, Ushtruesi i Detyrës (UD) nuk mund të emërohet më gjatë se tre (3) muaj. Ne, kemi vërejtur se në katër (4) raste ishte tejkaluar koha e ushtrimit të pozitave me UD. Për plotësimin e dy (2) prej tyre, ishin shpallur konkurset, mirëpo kishin dështuar në mungesë të kandidatëve të përshtatshëm, ndërsa, për plotësimin e dy (2) pozitave tjera, nuk ishin iniciuar procedurat”, ka gjetur auditori. /Lajmi.net/