Familja Rugova bojkoton fushatën e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës hapi sot fushatën para zgjedhjeve komunale të 22 tetorit. Por, në këtë ngjarje, që u mbajt në sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë, nuk ishte i pranishëm asnjë anëtar i familjes Rugova, madje as deputetja që hyri në Kuvend përmes listës së LDK’së, Teuta Rugova.

Lajme

21/09/2017 19:59

Teksa të rinjtë e LDK’së mbanin pankarta me slloganin ‘Lidhja për secilën komunë’, kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, përmendi emrat e kandidatëve të LDK’së nëpër komunat e Kosovës, duke thënë që LDK do të mbajë komunat ku është në pushtet dhe do të fitojë aty ku nuk mundi në zgjedhjet e fundit.

Ndërkaq, familja e simbolit të kësaj partie, ish-Presidentit Ibrahim Rugova, nuk ishte e pranishme në hapjen e fushatës.

Përçarja në mes të LDK’së dhe deputetes Teuta Rugova kishte filluar në kohën kur vendi ishte pa Qeveri dhe koalicioni PDK – AAK – Nisma po kërkonte deputetë që të mblidhte 61 vota për ta formuar Qeverinë. Pikërisht për këtë, atëkohë i nominuari për Kryeministër, Ramush Haradinaj, kishte takuar familjen Rugova në shtëpinë e tyre në lagjen Velania të Prishtinës, shkruan Gazeta Metro.

Pas takimit, Haradinaj kishte thënë që ka marrë mbështetjen e Rugovës për qeverinë e tij. Në seancën që pasoi, Teuta Rugova kishte vepruar ndryshe prej kolegëve të saj nga LDK, duke votuar pro një propozimi të PAN’it për shtyrje të seancës.

Më vonë, Mustafa kishte thënë që vota e Teuta Rugovës do të jetë sipas vullnetit të LDK’së, por në seancën ku u formua Qeveria, Teuta Rugova mungoi. E bija e Ibrahim Rugovës shtë në mandatin e saj të dytë si deputete e Kuvendit, por numri i votave për të ka rënë drastikisht krahasuar me zgjedhjet e vitit v2014.