Falsifikuan vulën apostile të MPJ-së, dy të arrestuar

Dy persona janë arrestuar në Prizren, pasi dyshohet se kishin falsifikuar dokumente.

Lajme

08/11/2018 16:15

Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Prishtinë të asistuar nga Hetuesit e NJHRKEK në Prizren, kanë zbatuar planin operativ të koduar me emrin “Vula”, i cili kishte të bëjë me një rast falsifikim të dokumenteve, njofton kumtesa, përcjell lajmi.net.

Si rezultat i planifikimeve operacionale, me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është realizuar kontrolli shtëpisë së të dyshuarit (A.G.) në Prizren, i cili dyshohej se kishte falsifikuar dokumente me vula apostile të Ministrisë së Punëve të Jashtme të RKS-së .

Po ashtu në njoftim thuhet se gjatë realizimit të kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit nuk është gjetur asgjë e dyshuar, mirëpo gjatë hetimeve të zhvilluara njësitet policore kanë siguruar informacione për një person tjetër të dyshuar me inicialet( L.Sh).

Pas marrjes së urdhrit verbal nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake në Prizren, është kontrolluar edhe shtëpia e të dyshuarit (L.Sh.) në Prizren, me ç ‘rast janë sekuestruar prova relevante për rastin si:

  • Fletë të zbrazëta me vulë apostile të MPJ-së,
  • Vërtetim shkollor, diplomë mbi kryerjen e shkollës së mesme profesionale e zbrazët me vulë apostile të MPJ-së,
  • Ekstrakt i lindjes, certifikatë e lindjes, kopje të letërnjoftimeve të RKS-së në emër të personave të ndryshëm, kopje të dëftesave të shkollës në emër të personave të ndryshëm, etj.

Pas intervistimit me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari i parë është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj të dyshuarit të dytë është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve. /Lajmi.net/