Falsifikimi i ndryshimit

 Edhe në Perëndim, edhe tek ne, po ndodhë personalizimi i plotë i politikës, gjë që aspak nuk garanton ndryshimin aq shumë të dëshiruar të qytetarëve të Kosovës.

Lajme

12/10/2017 11:03

 Nga: Blerim Shala
 
Viti 2017 do të mbahet në mend, në çdo variant gjithsesi, si vit i zgjedhjeve.
Qysh në fillim të vitit nisën të qarkullojnë spekulimet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, ndërsa dihej që në vjeshtë na presin votimet për pushtetin komunal. Kur dihet që rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetarët e komunave  (e gjithsesi në shumicën prej tyre do të ketë raund të dytë), do të mbahet në nëntor, atëherë, mund të konkludohet lehtë që i gjithë ky vit do të harxhohet në ballafaqimin e forcave në mes të politikanëve dhe subjekteve politike. Po të kishte rend dhe rregull në këtë politikën kosovare, do të duhej të krijohej një cikël zgjedhjes në çdo dy vjet, ku ta zëmë, nëse sivjet mbahen zgjedhjet e përgjithshme, ato lokale do të organizoheshin në vitin 2019, dhe kështu me radhë. Kur dy palë zgjedhje koincidojnë në të njejtin vit, së pari humbet i tërë viti politik, së dyti, mungon një matje e rregullt e disponimit të votuesve, së treti, mund të ndodhë edhe ngopja e votuesve të rëndomtë kosovarë me vetë aktin e zgjedhjeve. Pastaj, nuk mund të vimë edhe tek një zhvillim normal të skenës politike të vendit, duke ndryshuar diskursin, duke ofruar një qasje të re për problemet e njohura të shoqërisë kosovare.
Sidoqoftë, e meta kryesore dhe më e madhe e politikës kosovare është mungesa e vullnetit për të mësuar nga gabimet e njejta, të cilat po na përsëriten për vite me radhë.
Ndryshe, si në atë fushatën e shkurtër para zgjedhjeve të përgjithshme, ashtu edhe në këtë njëmujoren para zgjedhjeve lokale, kemi një bashkim të të gjithë politikanëve dhe entiteteve politike rreth një qëndrimi të vetëm: Atë që synon të garantojë një ndryshim thelbësor në jetën e rëndomtë të qytetarëve të Kosovës, përmes përpjekjes për ta dëshmuar ndryshimin në vet funksionimin e partive tona politike. Kjo do të thotë që së paku në këtë çështje, ekziston një bindje e përbashkët e të gjitha partive tona: Gjendja në Kosovë është larg asaj të dëshiruarës dhe të synuarës, pakënaqësia e votuesve është në rritje e sipër, njëlloj sikurse edhe mosbesimi në politikanët e vendit, prandaj, ndryshimi, një herë ‘i brendshëm’  (i vet politikanëve), e pastaj, edhe ai ‘i jashtëm’  (e situatës në vend, prej nivelit lokal tek ai qendror), është fjala magjike që duhet t’i bëjë për vete qytetarët e Kosovës. Natyrisht, të gjithë pretendentët për pushtetin lokal në Kosovë, siç edhe më herët, me ata për pushtetin qendror, duan ta monopolizojnë nocionin e ndryshimit, i cili po del si ‘programi’ më i mirë politik parazgjedhor, qoftë edhe kur thuaja i tëri bazohet në dallimet thjeshtë personale midis kandidatëve, pa hyrë fare në substancën e ofertave të tyre politike.
Realisht, në rrethanat aktualisht mbizotëruese në politikën dhe shoqërinë kosovare, është gati e pamundur që në mënyrë të arsyeshme të vlerësohet oferta për ndryshim. Zatën, ky defekt po vërehet edhe në demokracitë shumë më të zhvilluara se sa kjo e Kosovës. Kështu, si atje, me gjasë edhe këtu, ndryshimi nuk po arrinë të merr formën e nevojave të mirëfillta të qytetarëve të Kosovës, apo, të ‘urisë’ së tyre për një përmirësim të ndjeshëm të statusit të tyre social dhe politik, por ai në radhë të parë po është pasojë e ‘ngopjes’ së votuesve me partitë dhe politikanët tradicional të një vendi, të cilët nuk po dinë të gjinden në rrethanat kur politika më shumë zhvillohet nëpër rrjetet shoqërore të internetit, se sa në institucione të rëndomta, dhe në sheshe ku tubohen ithtarët e tyre.
Edhe në Perëndim, edhe tek ne, po ndodhë personalizimi i plotë i politikës, gjë që nuk paralajmëron e lëre më që nuk garanton atë ndryshimin aq shumë të dëshiruar të qytetarëve të një shoqërie demokratike.
Natyrisht, në shtetet e zhvilluara të Perëndimit, është në fuqi një sistem stabil i rendit dhe ligjit, i pushteteve të ndara, ka komunitet mediatik dhe intelektual, dhe tërësia e këtyre vlerave që ende po mbijetojnë, mbanë gjallë ‘imunitetin’ shoqëror për tu përballuar me sprovat më të reja të demokracisë. Politikanët shkojnë dhe vijnë, demokracia mbetet.
Në rastin e Kosovës, siç e dimë të gjithë, nuk është kështu, apo, te ne thuaja të gjitha elementet që duhet ta garantojnë këtë ‘imunitetin’ e shoqërisë, janë në rastin më të mirë, vetëm në zhvillim e sipër.
Kështu tek ne ndryshimi fals, i pathemeltë, mund të ketë pasoja shumë të rënda për të gjithë ne./Lajmi.net/