Fali se udhëhiqen nga trushkretë!

Kështu dje i shkrova zyrës së kancelares Angela Merkel. Diasporat shqiptare nuk janë kopé dhish trustepore, që paskan nevojë të orientohen nga ndonjë organizatë parasalafiste se kë duhet ta votojnë në Gjermani, Zvicër apo në SHBA.

Lajme

23/09/2017 17:10

Njëjtë siç s’janë kosovarët apriori imitate të liderëve e tyre mendjeshkretë e u dashka që asocialët dhe pubertetlinjtë proletaresk me origjinë shqiptare nga diaspora t’i qortojnë ata se pse nuk bëjnë saora shtetin ligjor.

I.

Ashtu si deleve të shpartalluara shpateve e kullotave që iu ulurin bariu të bëhen tok që mos i hajë ujku, njëjtë iu bërtasin nganjëherë edhe politikanët shqiptarë emigrantëve të tyre që jetojnë skutave të globit se ç’duhet të bëjnë, si të jetojnë, kë ta votojnë dhe sa të holla duhet të derdhin në konton e partisë. Dakord. Qenia e bariut varret nga ekzistenca e deleve. E kur miskat vërtet kanë nevojë për orientime të tilla – dhe të tilla ka sa të duash, sa një popull në vete – atëherë raporti është reciprok dhe nuk mbetet hiçgjë tjetër veçse të presim pa u ligështuar deri sa tu bie edhe atyre një ditë drita në sy që ta shohin Zotin e Unit të tyre që komedia të zhduket vetvetiu. Të shuhet ngase banale. Veçanërisht plus se është tepër e dëmshme.

Aludimi se me kë e kemi është i qartë.

Gjenealogjia nis me Edin kundër Trumpit, Hashimin pro Hillaryt dhe (nuk) përfundon me thirrjet e një organizate, si ashtu të përdalë përtej çdo kornize të normalitetit, e cila këtyre ditëve u lëshoi një fatwa ithtarëve të sajë gjermano-shqiptarë që të mos votojnë Merkelin por socialdemokratët dhe të majtët proputinesk e të njohur si kundër sovranitetit të Kosovës se paskan me ta programin identik. Thirrja e dyvëshave pasoj menjiherë pas asaj që bëri Erdogani nga Turqia.

Qesharake dhe ordinere. Edhe pse programet dhe synimet megjithatë i kanë identike.

Pse?

Sepse ai që voton nuk mund të jetë militant i kësaj organizate apo ndonjë tjetre të llojit. Ose vetëm në raste shumë të rralla. Shumica e militantëve që i njohim (ka përjashtime) janë të kategorisë pa të drejtë vote ngase nuk plotësojnë kushtet që ua dikton Neni 116, Alinea 1 e Ligjit Nacional për të Drejtë Votimi (BWahlG). E gjerman bëhet shqiptari pasi të ketë garantuar qëndrimin e përhershëm; të dëshmojë se nuk ka shfrytëzuar kurrë ndihmë sociale për vete dhe të familjes; të flas gjermanishten edhe më mirë se Azem Vllasi serbishten; të ketë kaluar provimin mbi normat, ligjet dhe rendin gjerman; të pranojë ligjet dhe kushtetutën gjermane dhe të llojit e të sojit. E kush i vetëdijesuar për sistemin demokratik, shtetin ligjor dhe parimet e lirisë gjermane ec e merret me falanga që financohen nga valixhe me pare të pista që ndonjë Dugash ua sjellin nga Anadolli?

Pasi të kemi hulumtuar këto filtra na shfaqen edhe probleme tjera: Cili shqiptar i integruar e normal në Gjermani dëgjon një organizatë të mbushur përplot salafista si Korenicat dhe qindra si ata?

Ka të tillë, por mund të jenë sa? 100, 200? Ja le të themi edhe 1 mijë kur ua bashkëngjisim edhe pubertetlinjtë proletaresk universiteteve të perëndimit që mezi kalojnë provimet dhe ca individëve që zhvillimin e kanë përfunduar me hyrjen në trojkat staliniste pseudorevolucionare dhe finito.

Më shumë jo.

Dosido ndërhyrjet e këtilla s’mund t’ia prekin as majëkëpucën e Merkelit apo konkurrentit të saj. Hiç. Diçka tjetër mund të shkaktojnë ato: aversionin e Merkelit kundër Kosovës. Dhe jo vetëm këtë. Ashtu siç rrezikoi Edi alergjinë e Trumpit ndaj Shqipërisë me batutat e tij të pakripa. Nëse Edi e bëri nga kryeneçësia, pse e bëjnë këta edhe në formë më të organizuar? Ta dëmtojnë Kosovën? Merkel sipas të gjitha gjasave do të rizgjidhet.

II.

E natyrisht se as kjo dukuri nuk ka vetëm një anë medaljeje. Sigurisht e keni vërejtur se sa vlojnë e gati sa eksplodojnë dhitë trustepike të Prishtinës dhe Tiranës saherë ndonjë emigrant ua lexon Levitët ngase iluzorisht beson se edhe atje duhet të ecin punët e shtetit, mediave, shkollave si në Gjermani? Menjëherë kërcejnë çapçarapshëm;«rri qatje allahile se ku merr vesh ti çka ndodh këtu?». Shpesh edhe me të drejtë se më të zhurmshmit janë këta asocialët dhe proletarcët e bashkuar në atë organizatën që trajtuam më lartë. Por ata përdhosen kur shkruan edhe ndonjë emigrant, qoftë ai edhe ekspert institutesh më të forta analitike për Ballkanin e shqiptarët. S’ka rëndësi kjo: rri atje e mos na lodh! kërkojnë primatët ballkanikë. Sikur edhe dijet e studimet të funksiononin në bazë të kufijve nacionalistë. E përnjëherë gjitha nuk vijnë.

Mos ishte hakmarrje kjo pikërisht ndaj kësaj kategorie në stilin; nëse ju na lodhni si individ ne ua kthejmë me parti?!

III.

Tashti pyetja; pse ndodhin këto defekte që përshkruam më lartë? Qoftë ai komunikimi më shumë acarues ndërmjet diasporave dhe vendeve të origjinës e qoftë këto ndërhyrjet në votimet e shteteve të huaja, prej të cilave varret fati i sovranitetit dhe zhvillimit të Kosovës. Qëllimisht ndodhë ky destruksion?

Nuk besojmë.

Duke hulumtuar këto sjellje për t’i kuptuar veprimet – për Republikën e Kosovës – eutanazike na ra ndërmend romani satirik i Diderot-t «Jakupi dhe pronari i tij» [1780]. Në një paragraf Jakobi/Jakupi flet kështu: «Gjithçka e keqe dhe e mirë me të cilën ndeshemi në këtë tokë është e parashkruar atje lartë. Imzot! A mund të më tregoni ndonjë mjet se si mund të fshijë me gomë ato të shkruarat atje lartë? A nuk mundem që Unë të jem Unë? Dhe kur të bëhen Unë Unë, a mundem të veprojë ndryshe nga Unë?»

Po të mendonin pak më thellë se zakonisht Edi Rama, Hashim Thaçi, Albin Kurti dhe para- e pasrojat e tyre nuk do të bënin këto veprime politike që bëjnë. Jo sepse janë e kundërta e saj për çka marrin vota – për t’iu bërë miq vendeve të tyre e jo armiq. Madje armiq të papërballueshëm si Merkel dhe Trump. E bëjnë se funksionojnë a-intelektualisht, jashtë realitetit, ashtu siç e denoncon Diderot Jakupin, i cili i ka mbyllur të vërtetës çdo mundësi veprimi efektiv në jetë, ngase jeton vegjetueshëm duke besuar se do të ndodhë vetëm ajo që është e shkruar atje në «defterin» e Zotit dhe çka do që mund të bëjë njeriu vetëm se mund t’ia fus vetes. Edhe më keq: primatët shqiptarë edhe kur s’lëvizin fare edhe kur lëvizin pak ua fusin vendeve të tyre.

A nuk i duket çdo njeriu me shtatë gram mend e gjithë politika shqiptare andej e këndej kufirit kështu: ose s’lëviz fare ose lëviz dhe vetëm dëmton; diplomacia sidomos, e cila funksionon vetëm duke pritur në pjatë urdhrat e superfuqive. Ndryshe si interpretoni defiletë e çdo ministri që nga i pari e deri tek i fundit sapo u zgjodhën para ambasadorit amerikan, duke bërë me turinj, duar e këmbë që t’i hynë sa më tepër në qejf. Ku ndodhë kjo tjetërkund? Në Gjermani, Zvicër, Francë? Pse nuk ndodhë? Sepse në këto sfera mund të votojë vetëm ai që njeh shtetin në të cilin jeton tjerët jo. Sepse qytetari i këtyre vendeve është aq i iluminuar që ta dallojë kukullën nga qenia e gjallë.

Pse në këto shtete nuk del Merkel dhe i fton publikisht gjermanët që ta zgjedhin Hillaryn apo Trumpin, Macron apo ndonjë tjetër? E para ngase ajo është intelektuale; e dyta ngase ajo e dinë ç’është politika dhe e treta ngase gjermanët nuk e kanë zgjedhur vetëm pse besojnë ajo të jetë e ditur dhe formuar intelektualisht e politikisht, porse ajo është e tillë. Shikoni primatët shqiptarë? Ende operojnë me «paradigma» regresive nga viti 1968 e deri më 632 e jo këndej ku gjendet bota reale, sot.

IV.

Këtë përafërsisht i shkrova zyrës së zonjës Merkel, duke u shpjeguar se „fatwa“ e organizatës paradoditësh së akuzuar për anti-izrealizëm nuk vjen nga urrejtja e kosovarëve ndaj saj, por nga infantiliteti i thellë i kastave politike që sundojnë aktualisht e fatkeqësisht shqiptarët.