Faleminderit Barcelonë

Kapiteni i Barcelonës, Carles Puyol konfirmoi vendimin e tij për t’i dhënë fund karrierës si futbollist pas përfundimit të këtij sezoni. Ai iu falënderua të gjithëve për mbështetje.

Sport

15/05/2014 16:22

Carles Puyol i është falënderuar të gjithëve, nëpërmjet një paraqitje në një konferencë për shtyp, ku konfirmoi pensionimin e tij nga futbolli, pas përfundimit të këtij sezoni.

Kapiteni legjendar i Barcelonës nuk do të luajë për ndonjë skuadër tjetër dhe do të përfundojë karrierën e tij aty ku edhe e nisi, te gjiganti katalan.

“Ju faleminderit të gjithëve për përkrahjen dhe mesazhet e juaja. Jam shumë i emocionuar me numrin e madh të njerëzve që gjenden këtu, në ditët e mija të fundit si futbollist i Barcelonës, dhe futbollist në përgjithësi. Është një moment i vështirë për mua, nuk ishte e lehtë të marrja vendimin. Njerëzit që më njohin e dinë se nuk më pëlqen të flas shumë, por më duhet të shprehi atë që ndjej”, deklaroi Puyol.

“Pas muajve të gjatë të problemeve me lëndimin e fundit, mendoj se ka ardhur koha që aventura ime me Barcelonën të përfundojë, sepse nuk jam në gjendje të luajë më pa probleme”, shtoi ai.

Puyol shprehu mbështetjen e tij për ekipin para ndeshjes vendimtare në garë për titull të kampionit në La Ligë me Atletico Madridin të dielën ndërsa tregoi se nuk do të luajë në Camp Nou.