Falë kamatave të larta në kredi, bankat fitojnë 70,000 euro në ditë

Bankat komerciale në Kosovë po realizojnë fitime marramendëse falë normave të larta të interesit në kredi dhe shtrenjtimit të vazhdueshëm të shërbimeve. Sipas një raporti të publikuar së fundi nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në gjashtëmujorin e parë të këtij viti bankat kanë arritur kulmin e të hyrave. 

Lajme

18/08/2014 21:28

Të hyrat bruto të bankave, pa i llogaritur këtu shpenzimet, në gjashtëmujor arrijnë shifrën rekorde prej 121.6 milionë eurosh, prej të cilave 97.1 milionë euro vijnë nga kamatat në kredi. Përderisa, fitimi i pastër i bankave, në gjysmën e parë të këtij viti ka arritur në 26.9 milionë euro, shumë më shumë se në vitet paraprake, raporton gazeta Zeri.

Krahasuar me vitin e kaluar shihet se gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, bankat komerciale në Kosovë kanë fituar më shumë se gjatë gjithë vitit të kaluar.

Normat e larta të interesit vazhdojnë të aplikohen edhe më tutje, megjithë futjen e konkurrencës, por edhe të lehtësirave fiskale, pas zvogëlimit të tatimit për korporata nga 20 në 10 për qind.

Njohës të rrethanave ekonomike në vend thonë se sektori bankar në vend është shndërruar në biznes tejet profitabil për biznesmenë të huaj falë normave të larta të interesit në kredi.

Eksperti i ekonomisë, Muhamet Sadiku thotë se hyrjet e reja në sektorin bankar nuk janë reflektuar aspak në uljen e normës së kredive në vendin tonë. Sipas tij, edhe më tutje Kosova vazhdon të prijë në rajon për norma të larta të interesit.

“Derisa nuk kemi hyrje të fuqishme e derisa nuk fuqizohet konkurrenca, derisa në treg nuk kemi instrumente të reja financiare, ky nivel i lartë i interesit në kredi do të vazhdojë edhe në të ardhmen” ka thënë profesor Sadiku. 

Sipas tij, është shumë paradoksale ku në njërën anë kemi biznese të mëdha me probleme shumë të mëdha, e në anën tjetër kemi banka të mira me norma të larta interesi. (Zëri)