Falcao nuk është mirë

Ylli i Kolumbisë, Radamel Falcao nuk e ka të sigurt paraqitjen në Kampionatin botëror në Brazil. Babai i tij ka njoftuar se ylli i Monacos është ende larg nga rikuperimi nga lëndimi i rëndë i gjurit.

Sport

14/05/2014 23:20

Radamel Garcia, babai i sulmuesit të mirënjohur kolumbian Radamel Falcao ka hedhur dyshime mbi paraqitjen e yllit të Monacos, në Kampionatin botëror në Brazil duke theksuar se ai nuk është në gjendje të mirë.

Falcao këputi ligamentet e gjurit në një ndeshje të Kupës me Monacon dhe u zotua se do të bëjë gjithçka në fuqinë e tij në mënyrë që të rikuperohet me kohë për Kampionatin botëror.

Mirëpo, Garcia ka theksuar se sulmuesi nuk është ende pranë riaftësimit, derisa gara sa vjen e afrohet, para fillimit më 12 qershor.

“Mjekët thonë se pas një lëndimi si ai i tij, duhet të pushohet gjashtë ose shtatë muaj. Andaj, na mungon ende kohë, nuk përputhet me periudhën që kanë thënë mjekët”, deklaroi ai për radiostacionin RCN.

“Falcao është aktualisht në 60 përqind, nuk është mirë. Rezistenca, fuqia, shpejtësia, të gjitha këtu zbehen pas një pauze të gjatë dhe një futbollist nuk mund të jetë në rendimentin e duhur”, u shpreh ai.