Faktori Zafir

Zafir Berisha ende s’ka pirë kafe me PDK'në e LDK'në, të cilat mund të kenë nevojë për votat e tij në balotazhin e Prizrenit. Thotë se ka marrë oferta. Por, komunikimi duhet bërë në nivel të lartë, e jo në nivel komunal. Pra, me Hashim Thaçin e Isa Mustafën.

Lajme

05/11/2013 16:28

Zafir Berisha, Kryetar i Bashkimit Demokratik, ka befasuar me rezultatin e arritur në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, duke marrë 13 për qind të votave në Prizren dhe duke u shndërruar kështu në faktor të rëndësishëm për koalicionet e mundshme të balotazhit.

Ramadan Muja i PDK’së ka marrë 37 për qind, ndërsa Eqrem Kryeziu i LDK’së ka marrë 25 për qind.

Secili prej tyre mbase llogarit të mbështetet në Zafir Berishën, për raundin e dytë të votimeve për Kryetar të Komunës.

Vendimet e Ilir Metës në Shqipëri ka vite që janë çelës se kush do krijojë Qeverinë atje. Një rast pothuajse i njëjtë mund të ngjajë edhe në nivel komunal në Prizren. Sytë janë nga Zafir Berisha dhe ai ka mundësinë të zgjedhë se kush ta udhëheqë Prizrenin në katër vjetët e ardhshme, PDK apo LDK.

Zafir Berisha thotë për lajmi.net se ende pa u mbyllur mirë vendvotimet, ka pasur oferta për koalicion.

“Ende pa u mbyllur vendvotimet, pa u dhënë mirë rezultatet, kam pasur oferta. Por, deri tani s’kam pirë kafe me asnjërin”.

“Unë mendoj që një herë të certifikohen zgjedhjet”.

“Do të vendosë, brenda disa ditëve, Këshilli Drejtues i Partisë a do të marrim pozicionin të qëndrojmë në opozitë apo me qenë në qeverisje”.

“Organet e partisë, të cilat e kanë meritën kryesore, do të vendosin pozicionin e mëtutjeshëm.”

“Sidoqoftë, ne si subjekt në garë kemi kërkuar që ta qeverisim Prizrenin”.

Por, çështjen se “kujt do t’i ndihmojë” të jetë Kryetar i Komunës së Prizrenit, Zafir Berisha nuk preferon ta diskutojë me nivele komunale.

Duke folur për lajmi.net, ai ka treguar se pret oferta nga nivele të larta, e jo nga Kryetarë të Degëve të Partive. Pra, telefonin duhet t’ia cingërojnë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa.

“Duhet ofruar nivele të larta, e jo nivele komunale, sepse unë jam Kryetar i Partisë, nuk jam Kryetar Dege”.

Kryetari i Bashkimit Demokratik ankohet se mund të jetë dëmtuar në zgjedhje.

Ai  mendon se 8.200 vota, sa ka marrë në garën elektorale në Prizren, nuk janë reale.

“Unë llogaris se vota ime reale është 12-13 mijë. Kam bërë fletë-ankesa nga Shtabi Zgjedhor i Bashkimit Demokratik dhe pres përgjigje pozitive. Militantët e partive m’i kanë dëmtuar votat, sepse unë nuk kam pasur komisionerë në 214 vendvotime dhe në 50 për qind të vendvotimeve as vëzhgues nuk kam pasur”.