Faktorët e indoktrinimit të të rinjve kosovarë

Kriza në sistemin politik, mungesa e perspektivës ekonomike dhe cilësia e dobët në arsim janë disa nga faktorët që po ndikojnë në indoktrinimin e të rinjve kosovarë dhe rekrutimin e tyre në organizatat ekstremiste islamike, vlerësojnë profesorët e filozofisë dhe sociologjisë.

Lajme

13/08/2014 18:39

Profesori i filozofisë politike klasike, Blerim Latifi ka renditur për Radio Evropa e Lirë faktorët kryesorë të indokrinimit dhe të rekrutimit të tyre në këto organizata. Faktori i parë, sipas tij, është kriza në sistemin politik, e cila nuk iu ofron shpresë të rinjve dhe, faktori tjetër, rënia drastike e cilësisë në arsim.

“Faktor tjetër jashtëzakonisht i rëndësishëm është mbyllja përherë e më e madhe e perspektivës ekonomike për të rinjtë e Kosovës. Ne tash e sa vite jemi të përfshirë në një gjendje të stagnimit ekonomik dhe të status quo-s, ku zhvillimi ekonomik duket tepër i largët, tepër jo premtues për të rinjtë e Kosovës.  Në këtë situatë të pesimizmit dhe jo-perspektivës ekonomike, gjithmonë gjenden grupe e individë, të cilët u propozojnë qytetarëve, të rinjve të Kosovës rrugë alternative për t’i realizuar interesat dhe perspektivën e tyre ekonomike”.

“Kjo krizë ka krijuar një situatë të atillë që sot sistemin arsimor në Kosovë e kemi një sistem që riprodhon injorancën. Kur nuk ke arsimim funksional, cilësor e modern, në këso kushte shfaqen edhe grupe e lëvizje dhe interpretime të tilla fetare e ideologjike që përpiqen të zënë rrënjë në shoqëri”, thekson Latifi.

Ndërkaq, sociologu i religjionit, Ismajl Hasani ka thënë se  nuk duhet t’i lihet faji vetëm aspektit ekonomik. Ai vlerëson se duhet urgjentisht që të koordinohen veprimet në mes të Prokurorisë dhe Bashkësisë Islame.

“Mendoj se është banale të minimizohet vetëm në faktorin material, sepse një i ri ka rrugë tjera të ndryshme për të siguruar bukën e gojës nëse është çështja te ky fakt. Por, prej storieve që po i shohim, shtëpitë e këtyre, qoftë që po vriten apo po bastisen, nuk janë familje që kanë mungesa elementare. Kështu që justifikimi vetëm me faktorin ekonomik për vendim për të shkuar në fushëbeteja që nuk dihet se të kujt janë, është tepër injorant”.

“Mendoj se është urgjente që të bëhet bashkërendimi i veprimeve të organeve të rendit dhe Prokurorisë me Bashkësinë Fetare Islame. Është më se urgjente në këtë fazë për të shpëtuar çka mund të shpëtohet në kuptimin jo vetëm të reputacionit të Kosovës, por edhe në kuptimin më të gjerë të shpëtimit të jetëve të njerëzve”, thotë Hasani.

Një tjetër faktor i rëndësishëm, sipas filozofit Latifi, është edhe hapësira  e veprimit që iu është dhënë organizatave humanitare menjëherë pas luftës. Ai vlerëson se prej aty ka filluar edhe indokrinimi fetar i të rinjve kosovarë.

“Të gjitha këto lëvizje duke promovuar një interpretim radikal të islamit, integralist e ekstremist, kanë krijuar klimën e fanatizmit fetar, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe shumë logjike shpie te këso dukuri të tilla siç  janë mobilizimi, rekrutimi për shkuarjen e të rinjve tanë në luftërat e tilla si në Siri e Irak”, ka thënë Lafiti për Radio Evropa e Lirë.