FAK-un po e pengon Serbia

Kryeministri Hashim Thaçi ka harxhuar shumë kohë dhe energji me LDK-në për çështjen e ulëseve të rezervuara, përderisa nuk ka arritur të sigurojë ende votat e partnerëve të koalicionit qeverisës nga radhët e pakicës serbe rreth Forcave të Armatosura të Kosovës.

Lajme

05/05/2014 09:52

Seanca e Kuvendit për transformimin e Forcës së Sigurisë në Forcat e Armatosura është thirrur për të hënën (sot), por para fillimit të saj, pritet të mbahet edhe një takim ndërmjet lidershipit të partive politike.

Kreu i qeverisë, Thaçi, dhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar besonin se me vazhdimin e ulëseve të rezervuara për minoritetet do të siguroheshin dy të tretat e votave të tyre, të domosdoshme për shndërrimin e FSK-së në FAK, shkruan “Tribuna”.

Mirëpo, presioni i Serbisë mbi partitë politike serbe nga ky komunitet kanë treguar se ka fare pak gatishmëri që ata të japin votat e tyre për FAK-un në shkëmbim të vazhdimit të mandateve të rezervuara.

Abstenimi i pakicës serbe nga votimi për themelimin e FAK-ut do të pamundësonte arritjen e kuotës prej dy të tretave të votave të pakicave, pasi që serbët përbëjnë numrin më të madh nga radhët e komuniteteve pakicë në Kuvend.