FAK-u s’bën kurrsesi të ndahet mbi baza etnike

Komiteti për Mbrojtje dhe Siguri i Lëvizjes Vetëcendosje mbajti një konferencë për medie, ku paralajmëroi për rrezikun që i kanoset vendit nga tendenca për ndarjen etnike të Forcave të Armatosua të Kosovës.

Lajme

24/05/2015 14:39

Deputeti Rexhep Selimi paralajmëroi se “në emër të së drejtës që Kosova të ketë ushtrinë e saj, po na kanoset rreziku që përmes mundësisë së vetos nga Lista Serbe, të kushtëzohet krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, me ndarjen e këtij institucioni në baza etnike. Marrëveshja e arritur në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, e ndan Policinë e Kosovës në baza etnike. I njëjti model po tentohet të aplikohet edhe tek Forcat e Armatosura të Kosovës.”

Në këtë konferencë foli edhe drejtuesi i Komitetit për Mbrojtje dhe Siguri në VV, Shemsi Syla, i cili tregoi se si “nga 5 zonat e parapara si regjimente të Gardës Kombëtare, parashihet që një regjiment t’i takojë komunave me shumicë serbë. Krijimi i një regjimenti me komandë serbe është rrezik shumë i madh sepse pikë së pari rrezikon vetë institucionin e Ushtrisë duke e bërë atë jofunksionale. Kjo ngase në këtë strukturë paralajmërohet që do të futen të gjithë ata ushtarakë të cilët i takonin një organizimi tjetër, paramilitar, pra që funksiononin në kuadër të Mbrojtjes Civile apo strukturave të tjera paralele të Serbisë në Kosovë”, tha Syla, raporton RTK.