FAK-u mes Prishtinës dhe Beogradit

Një prej dy prioriteteve të para që ka vendosur kryeministri Isa Mustafa me të marrë detyrën e re është krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës.

Lajme

15/12/2014 07:45

Mandatin e kaluar ish-kryeministri Hashim Thaçi nuk kishte arritur ta fitonte përkrahjen e serbëve që konsideroheshin më luajalë se aktualët në Kuvend, me gjithë përpjekjet “mbinjerëzore” për t’u siguruar atyre vendet e rezervuara edhe për një mandat tjetër, në këmbim të votës për ushtrinë, shkruan Koha Ditore.

Madje Thaçi gjithë fajin ia kishte hedhur LDK-së për mosvotimin e amendamenteve kushtetuese. Tani Mustafa, që u bë partner i Thaçit në qeverisje, përveç përmendjes si prioritet kryesor krijimin e FAK-ut, nuk ka treguar se si do t’i qaset partnerit tjetër- Listës Serbe, pa votat e të cilëve nuk mund të bëhet ndryshimi i amendamenteve kushtetuese. As nga Lista Serbe nuk kanë treguar nëse do të votojnë për ushtrinë e Kosovës. Edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmërua se krijimi i FAK-ut do të jetë një prej temave të ardhshme të dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas analistëve, Lista Serbe do të vazhdojë të ndjekë linjën e njëjtë edhe në këtë legjislaturë duke u bërë pengesë reale e Kuvendit.

Fisnik Korencia mendon që Serbia synon që të njëjtin status që e ka policia në veri ta fitojnë edhe Forcat e Armatosura.

“Ky do të ishte rrezik i jashtëzakonshëm për vendin meqë forcat e armatosura eventualisht bëhen pjesë e dialogut, Serbia do të tentonte ta fitonte edhe një autonomi ushtarake për ushtrinë e ardhshme në veri të vendit, e cila do të udhëhiqej nga serbët”, thotë Korencia për Koha Ditore.

Tutje ai shton se nëse Qeveria Mustafa pranon që të fus FAK në dialog do të ishte një gabim shumë i madh.

“Mendoj se është tejet e dëmshme nëse qeveria do të pranonte të fuste në negocim krijimin e forcave të armatosura të Kosovës në dialogun me Serbinë. Kjo duhet kundërshtuar qoftë edhe nëse ky dialog do të kornizohej në pjesëmarrjen e komunitetit serb në këtë forcë dhe eventualisht mënyrën se si kjo forcë do të funksiononte në veri të vendit”, ka thënë Korencia, shkruan Koha Ditore