FAK-u hiqet nga rendi i ditës

Me 83 vota për, dy kundër dhe asnjë abstenim, të hënën deputetët e Kuvendit të Kosovës hoqën nga rendi i ditës dy pikat që kishin të bënin me ndryshimet e nevojshme kushtetuese për themelimin e FAK-ut.

Lajme

05/05/2014 13:53

Ky vendim erdhi si pasojë e mos arritjes së një marrëveshje në mes të liderëve politikë, gjatë takimit që patën të hënën në mëngjes, në residencën e Ambasadores amerikane, Treacy Ann Jacobson.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci paraqiti propozimin e partisë së tij që pika 4 dhe 13 të hiqeshin nga rendi i ditësë, me arsyetimin se ka nevojë për më shumë konsultime.

“Për shkak të nevojës për të pasur konsulta për 4 dhe 13 të hiqen sot dhe të mbesin për nesër për tu shqyrtuar”, tha Grabovci.

Ndërkaq, Ismet Beqiri tha se LDK do ta votojë FAK-un kurdo që të vijë ai në Kuvend.

Ndërkaq, për tëheqjen e këtyre pikave, Visar Ymeri i Vetëvendosjes tha se po bëhen për shkak të kushtëzimit që po vënë deputetët serbë.

“Është shumë e qartë se po kërkohet kjo tërhiqje. Tërheqja po vjen si rrjedhojë e kushtëzimit nga deputetët serbë dhe kjo po e pamundëson amendamentimin e kushtetutës për themelimin e FAK për të cilat të gjitha partitë shqiptare janë shprehur pro”.