FAK në Veri brenda 8-10 vjetëve

Fatmir Xhelili nga PDK, thotë se brenda 10 vjetëve FAK mund të operojë edhe në Veri të Kosovës. Por, Rexhep Selimi nga VV, shprehet skeptik. Thotë se Serbia mund të ndërhyjë në këtë çështje, sikurse ka ndërhyrë edhe në disa punë tjera të brendshme të vendit.

Lajme

30/03/2014 08:13

Deputetë të pozitës dhe opozitës japin versione të ndryshme për operimin e Forcave të Armatosura të Kosovës në Veri të vendit.

Anëtari  i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri nga PDK, Fatmir Xhelili, ka thënë për Kosova Sot se beson që brenda një periudhe 8 deri në 10 vjet Forcat e Armatosura do të mund të operojnë edhe në Veri të vendit.

“Fillimisht FAK nuk do të jetë në gjendje t’i zbatojë detyrat shtesë që do t’i caktohen për shkak se përgjegjës për sigurinë në Kosovës është KFOR’i, mirëpo me zhvillimin e  kapaciteteve të FAK’ut, dhe standardeve të saj, dhe duke u zvogëluar numri i pjesëtarëve të KFOR’it do të shkohet duke u rritur numri i Forcave të Armatosura të Kosovës”.

Në anën tjetër, anëtari tjetër i këtij komisioni nga radhët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, shprehet skeptik se Forcat e Armatosura do të mund të veprojnë edhe në Veri. Sipas tij, Serbia mund të ndërhyjë edhe në këtë çështje sikurse ka ndërhyrë edhe në çështjet  tjera të brendshme të Kosovës

“Në rrethana të tilla, unë mendoj se testin e parë FAK’u do ta ketë në momentin kur të formohet dhe më tutje, a do të jenë në përputhje me detyrat që përcaktohen me Kushtetutë për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, që do t’i bie se a do të kemi një repart përtej Ibrit.

Ndërsa, Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, Ahmet Isufi, mendon se Forcat e Armatosura duhet të kenë një shtrirje në të gjithë territorin e Kosovës, duke pasur një angazhim në bazë të Ligjit dhe Kushtetutës në Fuqi.