FAK mund të ndërlikojë marrëdhëniet me Perëndimin

Krijimi i Forcës së Armatosur të Kosovës (FAK) është pjesë e presionit që Prishtina bën në kërkim të sovranitetit të plotë, por pjesë e së vërtetës së pakëndshme për kosovarët është se Kosova mund ta arrijë sovranitetin e plotë vetëm me ndihmën e Perëndimit.

Lajme

24/03/2014 09:22

Kështu ka deklaruar analisti gjerman, Bodo Weber, ekspert për Ballkanin në Këshillin për Politika të Demokratizimit (Demokratization Policy Council), në një intervistë për “Kohën Ditore”.

Weber ka thënë se ka një element të josinqeritetit strukturor në shtytjen e elitave politike për sovranitet të plotë, që ka potencial të ndërlikojë marrëdhëniet e Kosovës me Perëndimin, dhe që shumë lehtë mund të dëmtojë synimet e deklaruara.

Analisti gjerman ka thënë se Kosova do të ketë nevojë për njohuritë dhe përkrahjen e Perëndimit që Kosova të ketë një ushtri, ndërsa insiston që me gjithë komunikimin, kryeqendrat perëndimore nuk kanë luajtur rol në nxjerrjen e çështjes së krijimit të FAK-ut aktualisht, në prag të zgjedhjeve.

Weber ka thënë se përkrahja e Berlinit për FAK-un do të varet nga vlerësimi i ndikimit të themelimit të kësaj force në çështje të tjera politike që janë relevante për Gjermaninë, posaçërisht për dialogun Kosovë – Serbi.