FAK, liderët nuk arrijnë marrëveshje

Liderët e partive kryesore parlamentare, përveç liderit të Vetëvendosjes, janë takuar të hënën në mëngjes me ambasadoren amerikane, Tracey Ann Jacobson, në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekje për të siguruar votat që do ta transformonin Forcën e sigurisë në Forcë të Armatosur. Por sipas burimeve të lajmi.net, në pamundësi për të arritur konsensusin ndërpartiak, çështja e themelimit të Forcave të Armatosura është shtyrë për të martën.

Lajme

05/05/2014 12:13

Takimi ka përfunduar pak minuta para fillimit të seancës parlamentare, ku në rend dite ishte  plotësim/ndryshimi i ligjeve që do të mundësonin themelimin e Ushtrisë së Kosovës, që po kushtëzohet nga deputet e pakicës serbe dhe asaj turke, me vazhdimin e ulëseve të rezervuara të paktën edhe për një mandat.

Deri tani asnjëri prej liderëve nuk ka dalë me ndonjë deklaratë rreth asaj që është diskutuar, gjë që lë të dyshohet se nuk është arritur ndonjë marrëveshje paraprake që do të siguronte dy të tretat e votave të deputetëve (dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e pakicës), të nevojshme për themelin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Takimi i liderëve të partive politike ka përfunduar pa marrëveshje për Forcat e Armatosura të Kosovës. Lidhja Demokratike sërish ka hedhur poshtë mundësinë e votimit pro vazhdimit të ulëseve të rezervuara për pakicat në këmbim të sigurimit të dy të tretave të votave për Forcat e Armatosura”, ka thënë për lajmi.net një zyrtarë i lartë i njërës prej partive pjesëmarrëse në takim me ambasadoren Jacobcon.  

Sipas këtij burimi, votimi për Forcat e Armatosura është shtyrë për të martën, edhe pse gjasat janë që të shtyhet edhe për ndonjë ditë tjetër gjatë javës.

“Votimi për Forcat e Armatosura është shtyrë për ditën e martë, në qoftë se gjatë ditës arrihet ndonjë marrëveshje mes liderëve politikë. Ndërkombëtaret, në veçanti Ambvasada Amerikane po bën përpjekje që të sigurohen votat për themelimin e Forcave të Armatosura, por asgjë nuk është ende e sigurt. Pra çështja e Forcave të Armatosura nuk është e sigurtë që do të vendoset në votim as të martën”.       

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë treguar gatishmëri për vazhdimin e ulëseve të rezervuara për pakicat edhe për një mandat, por Lidhja Demokratike e Kosovës këmbëngulë se nuk do të votojë pro themelimit të Forcave të Armatosura, por jo për mandatet e rezervuara për pakicat.

Në takim me ambasadoren amerikanë ishin kryetari i PDK-së, Hashim Thaci, ai i LDK-së, Isa Mustafa, i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli. Ashtu sikurse javën e kaluar në këtë takim i paftuar ishte lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, partia e të cilit është e prerë në mosvazhdimin e mandateve të rezervuara për pakicat, gjë që kur kihet parasysh qëndrimi i LDK-së, e vë në pikëpyetje sigurimin e dy të tretave të votave të deputetëve të nevojshme për themelimin e Forcave të Armatosura.