Faik Canolli, kosovari që s’ka vënë gjumë në sy qe 33 vjet

E mban në mend shumë mirë vitin 1981. Që nga atëherë Faik Canolli nga Prishtina nuk ka vënë gjumë në sy. Kështu, duke qëndruar zgjuar për 33 vjet, ai po habit edhe psikiatrët kosovarë, të cilët nuk po mund të japin vlerësim mjekësor.

Lajme

06/08/2014 21:24

Tentime për të fjetur ka pasur shumë herë dhe në shumë kohë. Por, këto gjithmonë kanë dështuar për 33 vjet.

“Shansë të fle nuk kam qe 33 vjet. Kam kohë mjaft, rri shtrirë mjaftueshëm, gjithë ditën jam badihavaxhi, por gjumi nuk më merr”.

Faik Canolli nga Prishtina çdo ditë e çdo natë përballet me problemin e pagjumësisë. Kjo i ndodh nga viti 1981, kur i ishte nënshtruar një intervenimi mjekësor në këmbë, raporton KlanKosova.

“Prej se jam bërë operacion në Ohër, ende jam pa gjumë në sy qe 33 vjet”.

Edhe pse është mësuar me pagjumësinë, Canolli pranon se kohë pas kohe kjo i bëhet e padurueshme.

“Në 12 të natës vetëm nervozohem, herë në njërin krah e herë në tjetrin. Me vetëdije të plotë gjithmonë jam zgjuar, vetëm se më lodhet trupi ndonjëherë, më duket se jam fjetur, por jo, jam non-stop zgjuar”.

Ilaçin të cilin ai e kërkoi asnjëherë s’e gjeti.

“Badihava, shko ku të duash. E kam hequr merakun edhe në Gjermani edhe këtu, dhe ja, mbeta në pagjumësi”.

“Kam zënë edhe të harroj, qe besa, edhe pamja e syve më ka lëshuar pak, kam edhe lodhje pagjumësie, e kuptoni”, thotë Faiku.

Një kërkim në internet sjell faktet se raste të tilla të njohura edhe si Insomnia janë vërtet të mundura edhe pse janë shumë të rralla në botë.