Fadil Vokrri mendon se testi i parë kaloi mirë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, thotë se me ndeshjen Kosova-Haiti u dërgua një mesazh i qartë se kosovarët dinë të organizojnë ndeshje dhe padrejtësisht ishin në izolim. Sipas tij, testi i parë kaloi shumë mirë.

Sport

05/03/2014 17:06

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, është ndarë i kënaqur me ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare të Përfaqësueses së Kosovës.

Ai ka thënë se me ndeshjen Kosova-Haiti u dërgua një mesazh i qartë se kosovarët dinë të organizojnë ndeshje dhe padrejtësisht ishin nën izolim.

Këto komente ai i bëri në InfoMagazinë të Klan Kosovës, pas ndeshjes.

“Mendoj se ishte një ndeshje e pëlqyeshme përkundër kushteve të vështira klimatike, dhe shiut. Por, entuziazmi e mbushi përplot stadiumin dhe angazhimi i futbollistëve tanë ishte i shkëlqyeshme”.

“Edhe pse rezultati ishte 0:0, nuk mungoi spektakli. I falënderoj tifozët në stadium për anim korrekt dhe dërgimin e një mesazhi të qartë për asociacionet ndërkombëtare. Mendoj se dërguam një mesazh të mirë se dimë të organizojmë ndeshje, dhe se padrejtësisht kemi qenë nën izolim”.

“Ne kundër Shqipërisë kemi luajtur edhe më herët, dhe mendoj se ka qenë momenti që të gjejmë një kundërshtar tjetër. Të gjitha ndeshjet janë të mirëseardhura për ekipin e Kosovës dhe ne do të kërkojmë kundërshtar të tjerë”.

“Në muajin maj nuk ka datë fikse për miqësore, por skuadrat përfaqësuese kanë mundësi të zhvillojnë ndeshje, andaj do t’i analizojmë opsionet tona. Është me rëndësi që testi ynë i parë kaloi mjaft mirë”.