Facebook me një ndryshim të madh në reklamim

Facebook është duke iu dhënë reklamuesve një opsion të ri për të paguar për video-reklamat që ata i shfaqin në rrjetin social. Kompania ka njoftuar se prej sot do të fillojë t’ua marrë paratë për reklamim reklamuesve vetëm nëse përdoruesit i shikojnë reklamat e tyre të paktën për 10 sekonda.

Auto & Tek

01/07/2015 15:09

Facebook ka filluar që të ofrojë një metodë të re të reklamimit për reklamuesit më të mëdhenj. Më herët, Facebook i obligonte reklamuesit që të paguanin sapo video-reklamat shfaqeshin në kohështrirjet e përdoruesve.

Por, reklamuesit dhe kompanitë e ndryshme ishin frustruar me këtë metodë, duke thënë se përdoruesit i kalonin lehtë reklamat e tyre në Facebook pa i hapur fare, dhe rrjeti social i llogarite ato sikur ishin shikuar, transmeton Lajmi.net.

Reklamuesit argumentonin se Facebook i obligonte ata që të paguanin për reklama që klientët nuk i shihnin kurrë.

Por, tani duket se gjërat do të ndryshojnë. Kompania ka paralajmëruar se ka qenë duke punuar tashmë në këtë drejtim, për ta ndryshuar metodën.

Reklamuesit tani mund të mbesin të qetë, pasi që ata do të paguajnë për reklamat e tyre vetëm nëse ato shikohen nga përdoruesit e rrjetit social për të paktën 10 sekonda.