Facebook po bëhet një gazetë e madhe

Me ndryshimin e ri që pritet shumë shpejtë të ndodhë në Facebook, rrjeti social po konsiderohet se po bëhet një ‘gazetë e madhe’ çdo herë e më shumë.

Auto & Tek

13/05/2015 18:15

Ndryshimi i ri që pritet shumë shpejtë të futet në funksion në Facebook, mundëson që artikujt të cilat postohen në faqet e çdo portali në Facebook përmes linçeve, të shihen të plota – duke larguar kështu mundësinë për t’i klikuar ato dhe duke shkurtuar kohën e hapjes së tyre.

Sot është bërë e ditur se ‘The New York Times’, ‘Buzzfeed’, ‘NBC News’ dhe ‘NatGeo’ janë duke e testuar këtë veçori të re në faqet e tyre.

Ato kanë filluar t’i publikojnë disa prej artikujve të tyre direkt në Facebook, transmeton Lajmi.net.

Storiet – të quajtura ‘Artikujt e Çastit’ – shfaqen në ‘të rejat’ e rrjetit social. Ky ndryshim bën një kthesë të madhe në atë se si njerëzit i marrin lajmet, dhe kjo do të mund të ketë ndikim të madh në portalet të cilat shumicën e vizitave të tyre i marrin duke i shpërndarë linçet në Facebook.

Facebook ka rreth 1.4 miliardë përdorues në muaj, dhe 83% prej tyre janë jashtë SHBA-së dhe Kanada-së, sipas kompanisë, transmeton Lajmi.net.

Në një anketë të bërë së fundmi, është gjetur se 60% e njerëzve në botë i marrin tashmë lajmet nga Facebook. Me këtë ndryshim të ri dhe të madh, Facebook do të dominojë edhe më shumë në tregun e internetit.