Facebook me plan për ta ‘mposhtur’ YouTube-në

Përderisa Facebook ka mohuar planet për të lansuar një shërbim muzikor, rrjeti gjigant social është duke menduar të futet në rrjetin e videove online – ose thënë ndryshe, ta lë YouTube-në pa vizitorë.

Auto & Tek

16/07/2015 10:23

Rrjeti social është duke eksploruar një strategji për të futur video-muzikat në Facebook, në faqen e të rejave, aty ku përdoruesit qëndrojnë më së shumti.

Momentalisht, të gjitha videot që ngarkohen në YouTube shpërndahen në Facebook. Këto video më pas e bëjnë përdoruesin që të shkojë në YouTube apo në ndonjë faqe tjetër nga ka ardhur burimi i videos.

Kjo duket se nuk po i pëlqen Facebookut. Sipas New York Times, fuqia e Facebook ka bërë që YouTube të fitojë më shumë klikime në video, për shkak të popullaritetit që ka kjo faqe dhe videove të YouTube që shpërndahen në Facebook, transmeton Lajmi.net.

Që nga qershori i këtij viti, Facebook, që tani ka 1.3 miliardë përdorues në muaj në të gjithë botën, ka arritur një tjetër rekord – një mesatare prej 1 miliardë video-shikimeve në ditë, dy e treta e tyre nga pajisjet mobile. Rreth 100 milionë video postohen çdo muaj në Facebook. Kjo bën që YouTube të fitojë shumë trafik, padyshim.

Kështu që, bëhet e ditur se Facebook është duke menduar ta krijojë një platformë të video-muzikave në rrjetin social, në të cilën video-muzikat do të shfaqeshin në faqen e të rejave, do të numëroheshin shikimet dhe do të ‘mposhtej’ përfundimisht YouTube.