Facebook fshin dy rrjete dezinformuese të lidhura me Rusinë

Facebook ka bërë të ditur të enjten se kishte fshirë dy rrjete të mëdha dezinformuese të lidhura me Rusinë dhe që vepronin në vendet baltike, Azinë qendrore, Kaukazin dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Bota

18/01/2019 00:05

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, të dy operacionet u gjetën të kenë origjinën në Rusi, me njërën aktive në shumë vende dhe tjetra ishte specifike për Ukrainën.

“Ne nuk gjetëm ndonjë lidhje midis këtyre operacioneve, por ata përdorën taktika të ngjashme duke krijuar rrjete llogarish për të mashtruar të tjerët rreth asaj se kush ishin dhe çfarë po bënin”, ka shkruar shefi i politikës së sigurisë së Facebook, Nathaniel Gleicher në një njoftim për shtyp.

Po sipas mediave të huaja, rrjeti më i madh kishte gjithsej 364 faqe në Facebook dhe ishte i lidhur me punonjësit e Sputnik, një agjenci lajmesh e themeluar nga agjencia qeveritare e medias ruse “Rossiya Segodnya”.

Këto faqe dhe raporte u paraqitën si faqe lajmesh të pavarura ose faqe të interesit të përgjithshëm.

“Disa nga faqet shpesh postonin për tema si ndjenja anti-NATO, lëvizje proteste dhe anti-korrupsion”, shpjegoi Gleicher.

Ky rrjet shpenzoi rreth 135,000 dollarë për reklama në platformën e mediave sociale, të paguara në euro, rubla dhe dollarë amerikanë.

Paraqitja e parë u bë në tetor 2013, dhe më e fundit u botua në janar 2019.

Sidoqoftë, Sputnik e quajti heqjen e faqeve nga Facebook si “censurë” dhe tha se është “qartë e natyrës politike”.

“Shtatë faqe [Facebook] që u përkasin shpërndarësve tanë të lajmeve në vendet fqinje janë bllokuar. Nëse ky bllokim është reagimi i vetëm i Facebook për cilësinë e punës së medias, atëherë nuk kemi pyetje, gjithçka është e qartë këtu”, shkruante në një deklarate.

Siç thuhet tutje, përcjell Telegrafi, personat që qëndronin pas llogarive kryesisht përfaqësoheshin si ukrainas dhe vepronin me një sërë llogarish të rreme ndërkohë që ndanin lajmet lokale të Ukrainës mbi tema të ndryshme, si moti, protestat, NATO dhe kushtet shëndetësore në shkolla.

Ndryshe, ligjvënësit në të gjithë kontinentin kanë shprehur shqetësim për një kohë sa i përket rregullimit të platformave sociale dhe dobësisë së tyre gjatë periudhave zgjedhore.

“Përpjekjet tona të sigurisë po vazhdojnë për të na ndihmuar të qëndrojmë përpara dhe të zbulojmë këtë lloj abuzimi, veçanërisht në dritën e momenteve të rëndësishme politike dhe zgjedhjeve në Evropë këtë vit”, citohet të ketë shtuar Gleicher.