Fabrika e Tubave demanton lajmin se po i shet paisjet

Mediat sot raportuan se Fabrika e Tubave në Ferizaj po i çmonton mjetet e punës për t’i shitur në Maqedoni. Por ky lajm është demantuar nga menaxhmenti i kësaj fabrike, të cilët kanë thënë se ajo është duke vazhduar punën, dhe përveç tregut të Kosovës po furnizon edhe atë rajonal. 

Lajme

09/11/2014 22:04

Në reagimin e kësaj fabrike thuhet se lajmi për shitje të mjeteve të punës është spekulim.

“Një numër shkrimesh në mjetet e informimit publik në Kosovë, të publikuara ditën e diel, me spekulimet për shitjen e makinerisë në Fabrikën e Tubave në Ferizaj, kanë keqinformuar opinionin publik me qëllim të krijimit të hutisë, shkaktimit të pakënaqësisë në opinion dhe të denigrimit të punës së Fabrikës”.  

“Menaxhmenti i Fabrikës IMK në Ferizaj, sqaron opinionin publik, se kjo Fabrikë është privatizuar plotësisht, vlerëson pasurinë e saj, ruan mjetet e punës dhe si e tillë respekton rregullat e tregut në Kosovë si dhe të drejtat e punëtorëve të saj”.

“Në mënyrë që të shmangen paqartësitë dhe spekulimet, që qëllimisht janë ngritur në opinionin publik, theksojmë faktin se e tërë makineria për saldimin spiral të tubave, pronë e Fabrikës IMK, nuk është shitur dhe e njëjta prodhon pa asnjë ndërprerje sasitë e kontraktuara në treg”.

Përveç tregut të Kosovës, në reagim thuhet se fabrika ka arritur që prodhimet e saj t’i plasojë edhe në tregun e BE-së. 

“Ky repart i prodhimit, ku është e koncentruar e tërë fuqia punëtore, me përkushtimin e tyre dhe të menaxhmentit të Fabrikës, mbulon tregun jo vetëm në Kosovë, por edhe atë rajonal dhe mbi të gjitha prodhimet e fabrikës sonë kanë arritur të plasohen edhe në vendet e BE-së: Greqi, Norvegji, Slloveni etj”. 

Ndërsa, ajo që është duke u shitur sipas menaxhmentit, është makineria e vjetër e cila nuk i përshtatet më programit zhvillimor. 

“Një pjesë e makinerisë së vjetër të repartit për prodhimin e tubave me saldim drejtvizor, për shkak të mospërshtatjes në programin zhvillimor, të defekteve të pariparueshme, të vjetërsisë së makinerisë, dhe për shkak të pamundësisë për ta rikthyer në prodhim, është duke u shitur në mënyrë që të krijohet hapësirë për t’u zëvendësuar me makinerinë e rë për përpunimin dhe prodhimin e profileve të çelikut”.

“Makineria e re është porositur dhe ajo do të sillet nga Italia brenda pak muajsh dhe me t’u vendosur në repartin e fabrikës, do të hapet mundësia për punësimin e 150 punëtorëve të rinj”.

“Menaxhmenti i Fabrikës IMK, njofton opinionin publik se kjo ndërmarrje është taksapaguese e rregullt në Kosovë, si në nivel qendror ashtu edhe atë lokal, dhe njëkohësisht kryen të gjitha obligimet për punëtorët e saj në kohë dhe pa vonesa. Fabrika është e vetqëndrueshme financiarisht dhe e respektuar në nivelin rajonal dhe atë evropian”.

“Fabrika e IMK në Ferizaj, është ndër ndërmarrjet e rralla në Kosovë që pas procesit të privatizimit, ka arritur të shndërrohet në suksesin më të madh, duke e avancuar afarizmin e industrisë së mëhershme përmes rritjes së eksportit të prodhimit të saj”.

“Fabrika nga e gjithë sasia e prodhuar 98 për qind eksporton jashtë Kosovës. Fabrika IMK në Ferizaj, prandaj thekson faktin se të pavërtetat që qëllimisht janë plasuar në opinionin publik për punën në këtë fabrikë, kanë për qëllim destabilizimin e opinionit dhe të vetë punëtorëve të fabrikës. E ritheksojmë faktin se në kohën e zhvillimeve teknike e teknologjike, dhe në kohën kur Fabrika IMK, ka shënuar suksese jo vetëm në vend por edhe më gjërë, është i domosdoshëm avancimi i punës në fabrikë që njëkohësisht nënkupton edhe hapje të vendeve të reja të punës dhe përmirësim të kushteve të punës për punëtorët e saj”.

“Prandaj vlerësojmë se informacionet e paverteta që janë plasuar gjatë ditës së diel në opinionin publik, kanë për qëllim pengimin e avancimit të punës së Fabrikës dhe njëkohësisht shkaktimin e pakënaqësisë tek punëtorët e saj, që shënojnë një përpjekje të papranueshme të individëve për të shkaktuar telashe në procesin afarist”. (lajmi.net)