Fabrika e Kërpudhave në Mitrovicë pranon vetëm 350 vetë

Fabrika që do të ndërtohet brenda 15 ditëve në Mitrovicë, siç ka thënë Agim Bahtiri, do të pranojë vetëm 350 punëtorë. Ndërsa premtimi se do të hapen 15 mijë vende të reja pune duket të jetë i pamundur brenda mandatit 4 vjeçar të kreut të Mitrovicës.

Lajme

08/04/2014 18:52

Nga 15 mijë ka rënë në 3500 vende të reja pune brenda 4 vjetëve të ardhshme. Kështu ka ndodhur në qytetin e Mitrovicës i qeverisur nga kryetari Agim Bahtiri, i cili ka thënë se shumë shpejtë do të nisë ndërtimi i fabrikës së parë së kërpudhave.

Brenda 15 ditësh pritet të niset ndërtimi i njërës nga fabrikat e premtuara nga kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, transmeton Kohavision.

Ai është zotuar se që nga muaji shtator në këtë fabrikë fillimisht do të nisin punën 350 qytetarë. Bahtiri ka thënë se fabrika do të ndërtohet në pronë private në të cilën thotë se investitori është marrë veshë me pronarët e këtyre parcelave.

Megjithëse gjatë fushatës parazgjedhore Bahtiri kishte premtuar 15 mijë vende pune brenda një mandati, ai thotë se në katër vjetët e ardhshëm do të punësohen jo më shumë se 3,500 qytetarë.

“Nuk kam thënë 15 mijë vetë që do të punësohen në ato fabrika, por do të bëhen fabrika të tjera. Ju e dini që ligji i ri mbi Trepçën ka kaluar. Ligji për zonën e lirë ekonomike, që unë e kam kërkuar energjikisht, ka kaluar. Dhe tash, më 15 maj, kam një konferencë ndërkombëtare të biznesit, ku do të jenë shumë biznesmenë të cilët do të vijnë këtu dhe ne do të jemi shumë atraktivë për t’i nisur këtu”, tha ai.

Bahtiri, i cili ka mbushur 100 ditë të qeverisjes në krye të qytetit i cili konsiderohet se ka shkallën më të lartë të papunësisë, ka thënë se ka shënuar rezultate pozitive pasi, sipas tij, ka sjellë disiplinë në Komunë, ka ulur shpenzimet, si dhe ka pastruar qytetin nga mbeturinat, transmeton KTV.