Fabregas luajti i lënduar

Cesc Fabregas ka befasuar duke deklaruar se për tetë muaj luajti i lënduar, deri tek ndeshja e fundjavës në udhëtim te Everton. Por, mesfushori i Chelseas tani ndihet shëndosh e mirë.

Sport

02/09/2014 09:55

Cesc Fabregas ka befasuar tërë botën e futbollit me një njoftim rreth formës së tij fizike.

Nëpërmjet një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale Twitter dhe Instagram, mesfushori i Chelseas ka bërë të ditur se luajti i lënduar për tetë muaj te Barcelona.

“Pas 8 muajsh të problemeve, të shtunën zhvillova ndeshjen e parë pa dhimbje”, shkroi Fabregas.

Mesazhi i tij arsyeton faktin se paraqitjet e tij për Barcelonën në periudhën e fundit para largimit nga klubi ishin vërtetë nën nivelin e tij të zakonshëm.

Mirëpo, ish ylli i Arsenalit ka shfaqur një nivel të lartë të paraqitjeve pas transferimit në Chelsea ku nën drejtimin e Jose Mourinhos ka filluar të luajë rol të rëndësishëm për Blues, që kanë fituar tri ndeshjet e para në sezonin e ri të Premierligës.