Fabregas e harroi Arsenalin për vetëm 20 minuta

Jose Mourinho thotë se nuk iu desh mund i madh për ta bindur Cesc Fabregasin të transferohet në Chelsea. Trajneri portugez zbulon se e bëri për vete mesfushorin spanjoll për vetëm 20 minuta.

Sport

19/07/2014 13:18

Jose Mourinho e ka thumbuar Arsene Wengerin duke zbuluar se ishte mjaft e lehtë ta binte Cesc Fabregasin për t’iu bashkuar atij në Chelsea.

Menaxheri i Blues thotë se iu nevojitën më pak se 20 minuta për ta bindur përfaqësuesin spanjoll që të transferohet në Stamford Bridge dhe se ky klub do të ishte një opsion ma i mirë sesa një rikthim i mundshëm në Emirates Stadium.

“Kam biseduar me të rreth 20 minuta. Ai vërtetë dëshironte të vinte tek ne. Arsenali e kishte një plan për ta rikthyer, por mendoj se ai nuk po mendonte për këtë opsion”, deklaroi “Special One”.

“Mendoj se ai ishte shumë, shumë më i vendosur për të ardhur tek ne, kështu që ishte një punë e lehtë për mua”, vazhdoi ish trajneri i Portos, Interit e Real Madridit.

Në të kaluarën, Fabregas kishte deklaruar se do të luante vetëm për Arsenalin ose Barcelonën në karrierë, por iu bashkua Chelseat për 27 milionë funte.

Arsenali e kishte transferuar Fabregasin si 16 vjeçar nga Barcelona, ndërsa i kishte kaluar në klubin londinez 8 vjet, para se të rikthehej sërish në Spanjë, në vitin 2011.

Megjithatë, eksperienca në Barcelonë nuk ishte prej më të mirave dhe ai vendosi të rikthehet në Premierligë, aty ku bëri emër.