Evropianët vijnë edhe një herë në Kosovë për ta incizuar gjendjen

Grupi i Punës për Rajonin e Ballkanit Perëndimor nga Këshilli i Bashkimit Evropian, do të qëndrojë dy ditë në Kosovë, për t’u njoftuar me progresin e institucioneve kosovare, sidomos tash në prag të përfundimit të procesit të liberalizimit.

Lajme

25/09/2018 15:55

Ministrja e Integrimeve Evropiane ka treguar për Express qëllimin e vizitës së tyre, hapat e mëtejmë dhe çka do t’u servohet atyre në mënyrë që të njihen me zhvillimet në vend

Pas votimit në Parlamentin Evropian, që ndodhi dy javë më parë dhe çoi më tutje liberalizimin e vizave për kosovarët, tani me këtë temë do të merret edhe një grup punues nga Brukseli.

Këto grupe, që merren me zhvillim të përgjithshëm politik dhe ekonomik, për së largu por tash edhe për së afërmi do të njoftohen me progresin e institucioneve kosovare në sundimin e ligjit dhe të çështjeve tjera që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, tha se Grupi (COEEB) për t’u informuar sa më drejtpërdrejt për këto dy ditë qëndrimi, do të njoftohen për reformat dhe progresin e institucioneve, në të gjitha fushat.

“Qëllimi i vizitës është informativ, në mënyrë që grupi të informohet për zhvillimet në vend në përgjithësi dhe punën e institucioneve tona, në të gjitha fushat. Do të thotë, nuk ka ndonjë kërkesë specifike për institucionet tona, por vizita është më shumë e karakterit informativ për zhvillimet në vend”, ka thënë Hoxha.

Ajo tha se vizita e tyre është shumë e rëndësishme duke pasur parasysh fazën në të cilën ndodhet procesi i liberalizimit.

Hoxha tha se agjenda e anëtarëve të COWEB është bërë nga zyra e BE-së në Kosovë dhe do të ketë aktivitete të ndryshme duke përfshirë edhe takime me OJQ dhe me përfaqësuesit e institucioneve.

Por çka do të ndodhë pas vizitës së Grupit nga Bashkimi Evropian rreth liberalizimit?

Dhurata Hoxha ka treguar për gazetën se pas vizitës në Kosovë, diskutimet në COWEB do të vazhdojnë dhe do të ndiqen hapat e zakonshëm në këtë proces.

“Çdo vizitë në këtë fazë është shumë e rëndësishme, por më e rëndësishmja është se institucionet tona i kanë kryer detyrat e shtëpisë për procesin e liberalizimit të vizave dhe këtë e ka konfirmuar edhe Komisioni Evropian në raportin për Kosovën”, ka thënë ministrja e Integrimeve Evropiane.