Evropa rrezikohet nga virusi ‘Zika’

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u ka bërë thirrje sot vendeve evropiane që të koordinohen për të penguar përhapjen e mushkonjave që bartin virusin Zika, para se ky insekt të vijë në kontinent.

Lajme

03/02/2016 21:13

Vendet evropiane duhet të koordinohen për të penguar përhapjen e mushkonjave që bartin virusin Zika, para se ky insekt të vijë në kontinent, thekson Organizata Botërore e Shëndetësisë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u ka bërë thirrje sot vendeve evropiane që të koordinohen për të penguar përhapjen e mushkonjave që bartin virusin Zika, para se ky insekt të vijë në kontinent.

“U bëj thirrje vendeve evropiane që të veprojnë në mënyrë të koordinuar, duke përfshirë edhe popullatën, për të zhdukur vendet e riprodhimit dhe duke planifikuar përhapjen e insekticidit dhe shkatërrimin e larvave”, ka shkruar në një komunikatë drejtoresha e OBSH-së për Evropën, Zsuzsanna Jakab, raporton “Le Figaro”.

OBSH ka njoftuar të hënën se virusi Zika dyshohet se është shkaktari i shpërthimit të rasteve të fëmijëve të lindur me deformime në Amerikën Latine, gjë që përbën “një urgjencë për shëndetësinë publike në shkallë planeti”, transmeton kallo.com.

Sipas gazetës franceze, ndonëse turistë evropianë janë kontaminuar nga virusi, mushkonja tigër që e përhapë (Aedes aegypti) tash për tash nuk është vërejtur në Bashkimin Evropian.

OBSH vlerëson se rreziku që virusi të vijë në kontinent “është tepër i vogël gjatë periudhës dimërore”. Mirëpo, rreziku do të rritet me ngritjen e temperaturave, meqë insekti mund të adaptohet me të gjitha klimat e ngrohta.

“Mushkonjat e llojit Aedes, të njëjtat që janë përgjegjës për përhapjen e Dengës dhe të etheve Chikungunya, janë të pranishme në shumë vende evropiane, sidomos në vendet mesdhetare”, kishte njoftuar organizata në fund të janarit./lajmi.net