Evropa na tejkalon shumëfish me rroga, ne asaj me çmime të shportës

Qytetarët e Kosovës, pavarësisht se kanë të ardhura pesëfish qind më të vogla pak se qytetarët e vendeve të Bashkimit Evropian, paguajnë çmime të mallrave të konsumit të gjerë njëjtë si ata, kurse në disa raste madje edhe më të larta evropianët.

Lajme

26/04/2015 15:12

Ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë thonë për Radion Evropa e Lirë se 40 për qind e produkteve që konsumohen në Kosovë vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Eksperti i ekonomisë, Naim Gashi, në një prononcim për REL, tregon se importi i këtyre produkteve bën që çmimet të jenë më të shtrenjta në Kosovë sesa në vendet e BE-së.

Konsumatorët kosovarë, shton Gashi, paguajnë transportin dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar të këtyre produkteve që  vijnë nga BE-ja.

“40 për qind e çmimeve të produkteve ushqimore në tregun e Kosovës janë më të shtrenjta se në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa të ardhurat për kokë banori për qytetarët e Kosovës janë disa herë më të ulëta se në vendet e BE-së”, thotë Gashi.

Sipas Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare për vitin 2013 (të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës), rezulton se konsumi për kokë banori gjatë vitit 2013 ishte 1,402 euro, që i bie jo më shumë se 116 euro në muaj, ndërsa konsumi për ekonomi familjare është 7,625 euro, që në muaj është 635 euro.

Gashi, thekson se për ta përmirësuar këtë gjendje Kosova duhet të shënojë rritje ekonomike dyshifrore. Por, sipas tij, kjo rritje nuk mund të arrihet, pasi që zhvillimet politike të vitit të kaluar nuk ishin në favor të ekonomisë.

“Bllokada institucionale për gjashtë muaj do ta ketë efektin e vet në zhvillimet makro-ekonomike në vitin 2015. Megjithatë, lehtësirat fiskale që është duke i bërë Qeveria e Kosovës në të bërit biznes, mendoj se mund t’i japin efektet e veta në gjysmën e dytë të vitit 2015, mirëpo nuk do ta kemi atë rritjen ekonomike që dëshirojmë”, shton ai.

Sidoqoftë, sipas Gashit, qytetarëve të Kosovës iu kanë ndihmuar për përmirësimin e standardit jetësor të ardhurat që vijnë nga diaspora.

Janë mbi gjysmë miliardë euro në vit para që vijnë në Kosovë nga qytetarët e saj që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri konsideron se Kosova i ka të gjitha mundësitë për një zhvillim ekonomik më dinamik, mirëpo zbatimi i politikave ekonomike nuk është në drejtim të duhur.

“Për aq sa i njoh rrethanat ekonomike, jam mjaft i shqetësuar për gjendjen që jemi dhe perspektivën e zymtë ekonomike që po na pret. Nëse nuk do të bëjmë një ndryshim radikal, duke filluar nga të gjitha politikat që nxisin zhvillimin ekonomik, është situatë tepër e rëndë dhe e paperspektivë”, vlerëson ai.

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit. Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, është mbi 30 për qind.

Pagat, po ashtu, vazhdojnë të mbesin të ulëta. Në sektorin publik, paga mesatare mujore është 441 euro, kurse në sektorin privat, ajo mezi arrin 228 euro në muaj.