Evropa kërkon nga Afrika të kthejë prapa azilkërkuesit ekonomikë

Gjatë samitit të sotëm që do të organizohet në Maltë, liderët evropianë pritet të kërkojnë nga liderët afrikanë që të luajnë një rol më konstruktiv në zgjidhjen e krizës me refugjatë duke ndërmarrë inciativa për kthimin e azilkërkuesve ekonomikë.

Bota

11/11/2015 12:45

Ndërkaq, sa i përket emigrantëve që kërkojnë azil për shkak të luftërave në vendet e tyre, BE-ja do të lejoj azil për ta.

Samiti për emigrantët që do të mbahet sot në Maltë, do të ndjeket nga 50 liderë evropianë dhe afrikanë, transmeton KosovaPress.

Si shpagesë për bashkëpunim vendeve afrikane do t’i ofrohen miliarda euro për zhvillim të brendshëm ekonomik nga BE-ja.

Evropa po ashtu do të ofrojë fonde për të zgjidhur konfliktet dhe luftërat për t’i dhënë fund varfërisë në Afrikë. Varfëria dhe luftërat janë shkaktar i vetëm që ka shkaktuar ikjen e më shumë se 800,000 refugjatëve nga Afrika. Ndërkaq, Komisioni Evropian ka thënë se do të ndaj një fond emergjent prej 1.8 miliardë eurove për Afrikën.

“Euronews” shkruan se liderët evropianë dëshirojnë të mbajnë fokusin e tyre në Afrikë pasi shumë refugjatë të tanishëm që kanë arritur në Itali janë eritreanë, sudanezë dhe nigerianë.

Ndërkohë, vendet që janë goditur nga valët e emigrantëve si tranzit, janë duke ndërmarrë veprime, që ata i shohin si procedura të nevojshme. Sllovenia, që shërben si tranzit për mijëra emigrantë, kohëve të fundit ka vendosur që të vendos pengesa teknike në kufi përgjatë kufirit me Kroacinë për të kontrolluar turmat e emigrantëve.

Ndërsa, në Kalais të Francës frustrimi mes emigrantëve është rritur në natën e tretë me radhë. Në kampin e mbipopulluar i njohur si ‘Xhungla’ janë raportuar edhe më shumë përleshje të emigrantëve me policinë.

Samiti i sotëm në Maltë pritet të trajtojë edhe aspektin e sigurisë nëpër qendrat për pranimin e emigrantëve. /Kp