Evropa ime: Nuk ka demokraci neutrale

Pas suksesit të AfD-së në zgjedhjet parlamentare, dy trena po ecin kundrejt njëri-tjetrit, shkruan autorja gjermano-kroate, Jagoda Mariniç: dy kuptime të demokracisë, që nuk pajtohen me njëri-tjetrin.

Bota

30/09/2017 10:23

Lufta e kulturave, “Clash of Civilisations”: ky ishte libri i studimeve të mia të larta, tezat e të cilit u diskutuan në klasat e seminareve. Samuel Huntigtoni preferonte të përdorte për argumentim luftën e fundit në Evropë, e cila çoi në shpërbërjen e Jugosllavisë.
Unë e kam konsideruar për një kohë të gjatë idenë e luftës për burime si problematikën më qendrore. Deri pak kohë më parë, mendoja që pyetja:”Kujt i përket bota?” kishte forcën që t’i trondiste situatat mbizotëruese. Por nga lëvizja e shkurtër “Occupy”, e cila tematizoi pasurinë e 1 përqind të botës, nuk u krijua solidaritet. Përkundrazi: njerëzit në arrati, të cilët erdhën në Evropë në vitin 2015, shtruan me mjerimin e tyre jo pyetje të reja për shpërndarjen e mirëqënies dhe të paqes në këtë botë, por sollën një krizë të solidaritetit humanitar. E shprehur në mënyrë të thjeshtuar, fryma e kohës manifestohej në fjali si: “Kur ka kaq shumë të varfër, atëherë unë nuk duhet të ndihem i detyruar që të jap ndihmë. Dua ta mbroj me gardh territorin tim, në mënyrë që të jem mirë.” Kulmi i kësaj mënyre të menduari ishte dhe është “America First” e Donald Trumpit.

Grindja e Katalonjës të kujton ish-Jugosllavinë

Rreth 20 vjet më vonë, ndoshta duhet t’i jap të drejtë Huntigtonit. Bëhet fjalë sërish për kulturë dhe dominancë. Edhe në Evropë. Spanja ndodhet para një situate, që të kujton kohën në Jugosllavi. Çështja e madhe që shtrohet është ajo e vetëvendosjes nacionale dhe ajo e respektimit të kulturës. Ushtria spanjolle vepron tani kundër policisë katalanase.
Çfarë mund të thuash për zgjedhjet, që ende nuk është thënë? Mediet, pas së cilave ndodhen edhe mendje që mendojnë, akuzohen ose merren në mbrojtje. Shumë pak vetë pyesin se ndaj ç’presioni janë të ekspozuara këto mendje që mendojnë, për të ofruar kuota të mira. Se me ç’presion përballen mediet e shtypit, në luftë për zotërimin e lajmit në kohën e Facebook-ut. A mbetet e gjitha kjo në sipërfaqe, apo është në fakt luftë për burime? Në mënyrë paradoksale, kjo luftë për burime imponon që mediet të keqpërdoren si platformë për luftën e kulturave. Vëmendja e një numri të kufizuar spektatorësh duhet gozhduar. Psikologjia e masës nuk ka qenë kurrë një psikologji e diferencimit.
Pas këtyre zgjedhjeve, shumë në këtë vend donin të përhapnin optimizëm: thanë se 87 përqind kanë zgjedhur parti demokratike. Kjo natyrisht që aktivizon rezistencën e 13 përqind demokratëve të tjerë, gjithsesi edhe ata zgjodhën në mënyrë demokratike dhe janë pjesë e kësaj demokracie. Kjo mund të ndodhë. Por nuk është e parëndësishme se për cilën demokraci flasim. Demokracia nuk është e kufizuar as në Bundestag, as në të dielën e zgjedhjeve. Ajo është një diskurs i gjallë i përditshëm. Dhe ajo bazohet në parime, të cilat – kur sulmohen – e rrezikojnë demokracinë në vetvete. Gati të gjitha janë të diskutueshme, por jo të gjitha janë të negociueshme, kur flet për një demokraci. Ka X shembuj në histori, kur qytetarët i kanë eleminuar vetë me zgjedhje të drejtat e tyre.

Pas suksesit të AfD: banalizimi nuk do të ndihmojë

Në dekadat e fundit ka ekzistuar kjo epërsia gjermane. Shumë këtu i kanë konsideruar kombet që merreshin vetëm me veten, si inferiore. Që rrinin të mbërthyera në rrethana të ngjashme me luftën, në një kohë që Gjermania mund të kujdesej për inovacionin, eksportin dhe rritjen. Këto zgjedhje do ta ndryshojnë këtë situatë. Ato e kanë ndryshuar tashmë. Pas këtyre zgjedhjeve, me AfD-në si forcë të tretë politike, edhe në skenën e kulturës gjermane po formohet rezistencë, që kryesinë e Komisionit të Kulturës në Bundestag ta marrë Alternativa për Gjermaninë: një parti, në të cilën gjejnë vend fjali si “Përmendorja (për hebrenjtë) është turp”, nuk duhet të lejohet të marrë kryesinë e një komisioni, i cili kujdeset për kujtesën. Ai që tani nuk arrin ta dallojë se këtu po ecin dy trena kundër njëri-tjetrit, ai nuk i ka sytë as nga Gjermania, as nga Evropa dhe as nga roli i SHBA për botën. Në thelb nuk ka rëndësi, nëse njëri nga trenat është tri herë më i gjatë se tjetri. Këtu po ecin kundër njëra-tjetrës dy kuptime të ndryshme të demokracisë, të cilat nuk pajtohen me njëra-tjetrën. Banalizimi nuk të ndihmon. Sepse ata 13 përqind do të mund ta shprehin më në fund tërbimin e tyre, me bubullimën e Donald Trumpit si mbështetje. Një zemërim, nga i cili i patën çmësuar për dekada me radhë lëvizjet në minoritet. Përcjellja e pamjes së një të ziu të revoltuar qe No-Go për të gjithë. Kështu nuk të merrnin seriozisht, thuhej, kështu nuk argumentoje dot, më mirë në mënyrë të arsyeshme, atëherë mund të të dëgjonin. Tani është i bardhi i zemëruar që bubullon. Është ai që dëgjojnë. Treni ecën. Më shkon mendja te libri i historianit të famshëm amerikan, që për fat të keq ka vdekur, Howard Zinn: “Nuk mund të jesh neutral në një tren në lëvizje”./DW/ Jagoda Marinic/

Jagoda Marinic është një shkrimtare gjermano-kroate, autore teatri dhe gazetare. Ajo ka lindur në Waiblingen si bijë imigrantësh kroatë. Aktualisht ajo jeton në Heidelberg. Së fundi u botua libri i saj “Made in Germany – çfarë është gjermane në Gjermani?”