Eurodeputeti Vajgl: Dënoj thirrjet për luftë në Ballkan

Eurodeputeti Ivo Vajgl i konsideron të dënueshme deklaratat luftëndjellëse në Ballkan e thotë se liderët e rajonit duhet t’i lënë mënjanë të tilla retorika e të fokusohen në procesin e integrimit europian.

Fun

19/01/2017 11:45

Ndonëse nuk bëri emra e nuk përmendi ngjarje konkrete, mesazhet e tij dukeshin qartë që i drejtoheshin mes të tjerash, edhe Serbisë. Deklaratat e disa liderëve janë shqetësuese dhe nuk mund të argumentohen me afrimin e fushatave zgjedhore, secila retorikë nacionaliste dhe nxitëse konfliktesh duhet dënuar fuqishëm nga gjithë liderët rajonalë dhe europianë. Në Ballkan, theksoi ai, nuk do ketë ndryshim të kufijve.

Vajgl mendon se rajonit i nevojitet një integrim i mirë dhe shkëmbime tregtare për të shëruar plagët e luftrave të viteve ‘90. Provokimet serbe, të nisura me ngritjen e murit në Mitrovicë, arrestimin e Haradinajt e së fundi me dërgimin e trenit të mbushur me parrulla nacionaliste drejt Kosovës, shumë i lidhin me shpresat e Beogradit për një ndryshim të politikave të Shtëpisë së Bardhë pas marrjes së presidencës amerikane nga Donald Trump.

Aq shumë i josh serbët ideja e një afrimi të Trumpit me Vladimir Putinin dhe përfitimeve që ata do të kishin nga kjo situatë, sa e përditshmja serbe “Kurir” ka njoftuar në faqen e saj “online” se  “takimi historik i atyre që i përshkruan si politikanët më të fuqishëm, do të ndodhë në Beograd. Është raportuar kohë më parë në disa media të huaja mbi mundësinë e një përballjeje, që sipas tyre kishte gjasa të zhvillohej në Islandë, por shtypi serb ka dalë me hipotezën e re se do të jetë Beogradi mikpritësi i këtij takimi me arsyetimin se Serbia ka marrëdhënie të mira si me Moskën, ashtu edhe me Perëndimin. / Top Channel