Eurodeputeti sllovak: Akush në BE nuk e do bojkotin

Askush në Bashkimin Europian nuk e pëlqen bojkotin. Kështu u shpreh eurodeputeti sllovak, Eduard Kukan, duke iu referuar situatave politike në Shqipëri, Maqedoni, Malin e Zi dhe Kosovë.

Bota

28/03/2017 23:55

“Bojkoti i Parlamentit po kthehet në një lloj sporti në rajonin e Ballkanit, por vendi për debat politik është në Parlament”, tha eurodeputeti, gjatë konferencës në Parlamentin Europian me titull “Kriza e demokracisë në Ballkanin Perëndimor”.

Kukan dënoi nacionalizmin në rritje në vendet e rajonit, që siç tha po përdorej nga politikanë të ndryshëm për të tërhequr votuesit e tyre.

“Hija e së kaluarës nuk është e dobishme dhe procesi i zgjerimit do të bëhet më i vështirë me kalimin e viteve”, vijoi më tej Kukan.

Mes pjesëtarëve të panelit ishte edhe raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, i cili theksoi se demokracia në vendet e Ballkanit ishte e dëmtuar. Kjo sipas tij u mundësonte pushtetarëve të sundonin në mënyrë autokratike.

Në fjalën e tij, Fleckenstein u shpreh tepër i shqetësuar me krizën politike në Maqedoni dhe i bëri thirrje Gruevskit të mos e pengonte krjimin e qeverisë. Dy eurodeputetët Kukan dhe Fleckenstein janë ndërmjetësues të BE-së në shumë prej krizave politike që po trazojnë rajonin, të tilla si ajo e Maqedonisë e Shqipërisë. /TCH