EULEX të largohet në qershor 2014

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se institucionet e vendit janë të gatshme t’i marrin të gjitha detyrat nga qershori i vitit 2014. Sipas tij, ka një strategji për një “transicion të lehtë” në koordinim me EULEX’in dhe partnerët tjerë ndërkombtarë.

Lajme

21/09/2013 07:23

Qeveria e Kosovës kërkon që EULEX ta përfundojë misionin e vet në Kosovë në qershor të vitit të ardhshëm.

Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi është shprehur se institucionet e vendit janë të gatshme t’i marrin përsipër të gjitha detyrat që ky mision i kryen aktualisht.

Sipas Kuçit, ekziton një strategji e cila flet për një “transicion të lehtë” në koordinim me EULEX’in dhe partnerët tjerë ndërkombtarë.

“Qëllimi ynë është që mandati i EULEX’it në qershor të vitit 2014 të përfundojë kështu siç është. Se si do të funksionojë më vonë, në formën e monitorimit, mentorimit apo këshillimit, kjo duhet të negociohet. Vendimet tona nuk do të jenë unilaterale, por do të merren në bazë të këshillimeve me Brukselin” , ka thënë Kuçi në një intervistë për Deutche Welle.

“Ne duam që EULEX të largohet me formën e bashkëpunimit dhe jo dëbimit pa i plotësuar kapacitetet tona. Logjika jonë është: ngritja e kapaciteteve tona, zvogëlimi i prezencës së EULEX’it dhe jo krijimi i hapësirës për mungesë të drejtësisë”.

“Ne kemi qenë të kujdesshëm dhe jemi konsultuar me Parlamentin edhe para hartimit të strategjisë. Rezoluta e Parlamentit ka qenë më e ashpër, por ne kemi kërkuar mirëkuptim nga deputetët që t’i lihet hapësirë Qeverisë që të negociojë me faktorin ndërkombëtar. Edhe në letrën që presidentja Jahjaga i ka dërguar zonjës Ashton, në shtator të vitit të kaluar, parashikohet përfundimi i mandatit të EULEX’it, në qershor të vitit 2014”.

Duke folur për gjykimin e rasteve të krimeve të luftës, pas përfundimit të mandatit të EULEX’it, Kuçi ka thënë se largimi i këtij misioni nga Kosova nuk nënkupton ikjen nga drejtësia.

“Rastet e këtilla, pavarësisht se a ekziston EULEX’I apo jo, do të gjykohen. Rastet e ngjashme do të kryhen. Nuk ka logjikë këtu që dikush të mendojë se nëse EULEX’I shkon, nuk do të gjykohet ose nuk do të ndiqet. Jo, do të ndiqen të gjithë ata që e kanë shkelur ligjin”.