EULEX pritet ta dorëzojë edhe rastin “Medicus” tek gjyqtarët vendorë

Pas rishqyrtimit të misionit të EULEX në qershor të këtij viti, edhe rasti “Medicus” pritet t’i dorëzohet gjyqtarëve vendorë.

Lajme

23/03/2018 13:29

Janë bërë gati 10 vite që nga skandali i transplantimit të kundërligjshëm të veshkave në klinikën private “Medicus” dhe aktvendimi përfundimtar ende nuk është marrë nga drejtësia.

Në vitin 2013 gjykata kishte dënuar me tetë vjet burg urologun Lutfi Dervishi dhe djalin e tij Arban Dervishi, ndërsa anesteziologun Sokol Hajdini me pesë vjet burg. Këto dënime i kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit, por Supremja i ktheu në rigjykim në janar të vitit 2017, shkruan Gazeta Shneta.

Gazeta Shneta mëson se rasti do t’i kalojë drejtësisë vendore nga EULEX-i. Misioni i BE-së pritet ta rishqyrtoj praninë në Kosovë si dhe të modifikoj kompetencat e veta.

“Pas dorëzimit të rastit ‘Toka’, edhe rasti ‘Medicus’ pritet t’i dorëzohet gjyqtarëve vendorë dhe EULEX do të jetë vetëm në rolin e vëzhguesit sa i përket gjyqësorit”, ka deklaruar ky burim.

EULEX në një përgjigje për Gazeta Shneta nuk ka pohuar as mohuar një gjë të tillë.

“Misioni i EULEX nuk mund të komentojë rastet të cilat ende janë duke vazhduar”, thuhet në përgjigje.

Se ka një kërkesë për dorëzimin e këtij rasti nuk e ka konfirmuar as Gjykata Themelore në Prishtinë.

Zëdhënësja Mirlinda Gashi ka deklaruar se nuk ka asnjë kërkesë zyrtare për këtë çështje.

“Unë ndihem absolutisht i pafajshëm”, ka deklaruar Dervishi për të dy veprat penale pas rifillimit të procesit në korrik të vitit të kaluar. “Absolutisht i pafajshëm”, ishte edhe deklarimi i të akuzuarit Hajdini.

Prokuroria ngarkon Dervishin se 24 persona, janë rekrutuar nga vendet e jashtme dhe transportuar për heqjen e organeve në klinikën e tij.

Këto operacione ishin bërë nga një grup i kirurgëve dhe anesteziologëve në klinikën “Medicus”, pronë e Dervishit.

Në aktakuzë thuhet se viktimave u ishin premtuar një shumë e caktuar e të hollave në këmbim të veshkave, por disa prej tyre nuk kishin përfituar asgjë, e disa nga ta më pak se që u ishte premtuar.

Prokuroria ka deklaruar se nga marsi i vitit 2008 janë bërë 48 operacione në klinikën në fjalë. /Gazeta Shneta/