EULEX-i, pak i dobishëm por i nevojshëm

Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, konsiderohet i nevojshëm për drejtësinë vendore, derisa kjo e fundit të zhvishet nga politika. Juristët kosovarë thonë se Kosova ende ka nevojë për praktikat e Bashkimit Evropian, prandaj votimi i ligjvënësve për t’ia vazhduar mandatin edhe për dy vjet vlerësohet i arsyeshëm.

Lajme

19/06/2016 08:16

Edhe pse në të kaluarën zyrtarët e EULEX-it “kishin rrahur gjoks” se do t’i arrestojnë peshqit e mëdhenj që merren me korrupsion dhe krim të organizuar, kjo nuk ndodhi dhe ky mision më shumë u fokusua në gjykimin dhe dënimin për krime të luftës, shkruan gazeta Zëri.

Sipas juristëve kosovarë, EULEX-i ka qenë relativisht i dobishëm për Kosovën dhe se ka ndërtuar deri diku një sistem efikas gjyqësor. Ndërsa thonë se në dy vjetët e ardhshme duhet që vendorët të marrin në duar të gjitha rastet e profilit të lartë.

Profesori i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, Vigan Qarroli, ka thënë se Kosova ka nevojë për EULEX-in dhe se dobia e këtij misioni nuk duhet të shihet me inerci.

“Vazhdimi i mandatit të EULEX-it edhe për dy vjet të tjera nënkupton para se gjithash nevojën e Kosovës për këtë mision të fushën e sundimit të ligjit. Dobia e EULEX-it për popullin e Kosovës nuk duhet të shihet me inerci dhe me perceptim negativ – se gjithçka ka shkuar keq. Spektaklet mediale janë çështje e mërzitshme për publikun. Prandaj edhe jorrallë ky mision kryqëzohet se ka bërë punë jo sa duhet”, është shprehur Qarrolli.

Edhe avokati Arianit Koci konsideron se EULEX-i ka qenë i dobishëm për Kosovën dhe prandaj duhet të vazhdojë të qëndrojë edhe më tutje në Kosovë.

“Gjatë kësaj periudhe duhet që ne vendorët, t’i marrim në duar të gjitha rastet e profilit të lartë. Bërllokun tonë, nëse ka, duhet ta pastrojmë vetë”, është shprehur Koci.

Ndërkaq avokati tjetër Tomë Gashi, e ka kundërshtuar vazhdimin e misionit duke thënë se EULEX-i “nuk ka treguar kurrfarë rezultati edhe pas tetë vjetësh”.