EULEX me rol mbështetës karshi institucioneve vendore

Bajram Rexhepi thotë se mandati i ardhshëm i EUELX-it do të ketë rol mbështetës karshi institucioneve të Kosovës. Ai thotë se situata në veri dita- ditës po normalizohet.

Lajme

01/04/2014 06:55

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi thotë se mandati i ardhshëm i misionit të EULEX-it do të ketë karakter mbështetës të institucioneve të vendit.

Në një intervistë për “Epoka e Re”, Rexhepi thotë se institucionet vendore kanë kapacitetet e nevojshme që të marrin përgjegjësitë e sundimit të ligjit.

“Mandati i ardhshëm i EULEX-it do të fokusohet në mbështetjen e institucioneve në Kosovë në fushën e sundimit të ligjit me qëllim që ta afrojë Kosovën sa më afër BE-së, gjithnjë duke u bazuar në parimin e pronësisë vendore, pra sa më shumë përgjegjësi të bartura tek institucionet vendore”.

“Institucionet tona kanë ngritur kapacitetet e nevojshme për t’i përmbushur obligimet kushtetuese dhe ligjore në të gjitha fushat”.

Ministri Rexhepi thotë se situata në veri të vendit po vazhdon të normalizohet. Ai thotë se për herë të parë pas zgjedhjeve lokale, autoritetet e Kosovës kanë filluar të bashkëpunojnë me autoritetet lokale atje.

“Situata në veri të vendit po vazhdon të normalizohet, përfshirë edhe sigurinë. Së shpejti presim edhe funksionalizimin edhe të sistemit të drejtësisë në atë pjesë të vendit. Bashkë me autoritetet lokale të zgjedhura nga zgjedhjet lokale të organizuara, ne po punojmë për herë të parë edhe në atë pjesë të vendit, për t’i ofruar edhe shërbimet e regjistrit civil, pra të pajisjes me dokumenta të Republikës së Kosovës dhe për të krijuar një ambient të përshtatshëm për investime”.

Bajram Rexhepi tha se sa i përket MPB-së, ajo ka përmbushur të gjitha kriteret e dala nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e vizave.

Gjithsesi ai tha se kjo që po i bëhet qytetarëve të Kosovës, pra mosdhënia e vizave, është e padrejtë.

“Nuk dua të jem kritik, por mendoj se ajo çfarë është duke iu bërë qytetarëve të Kosovës ëshhtë e padrejtë. Ne në shumë raste kemi kërkuar intensifikimin e agjendës së liberalizimit të vizave nga Komisioni Europian, por ka pasur shumë vonesa procedurale nga vet Komisioni Europian”, tha Bajram Rexhepi për “Epoka e Re”.