EULEX mbetet në Kosovë, për ta ndihmuar gjyqësorin

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe zyrtarë të EULEX-it pranojnë se ky mision do të mbetet në Kosovë për t’u përballur me sfidat e institucioneve në vend. Zyrtarë të EULEX-it thonë se është krijuar një periudhë e re e marrëdhënieve midis BE-së dhe Kosovës.

Lajme

10/04/2014 15:28

EULEX do të mbetet ende në Kosovë për shkak të sfidave që ka Kosova në institucionet e saj e në veçanti në fushën e gjyqësorit.

Kështu u tha sot në një takim midis ushtruesit të detyrës së Komandantit të Operacioneve Civile të BE-së, Gilles Janvier, i shoqëruar nga shefi i Misionit EULEX, Bernd Borchardt dhe nga Këshilltari i lartë i policisë për Planifikim dhe Administrimin e Kapaciteteve Civile, Bernd Thran me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Drejtësisë të Kosovës, Hajredin Kuçin.

Në këtë takim, Janvier ka vlerësuar se institucionet e Kosovës kanë arritur përparim dhe se ky realitet i ri është pranuar nga Bashkimi Evropian, njofton një komunikatë nga EULEX.

Sipas zyrtarëve nga EULEX, ky misioni po hyn në një periudhë të re të marrëdhënieve midis BE-së dhe Kosovës e cila po e shndërron atë në një proces të tranzicionit prej EULEX në institucione të Kosovës.

E për këtë, ata kanë thënë të enjten se ky Mision do të mbetet ende në Kosovë

“Misioni është i vetëdijshëm që ende ka sfida, në veçanti në fushën e gjyqësorit, por Misioni do të mbetet në Kosovë për ta mbështetur dhe forcuar raportin e punës me institucionet e Kosovës për t’u ballafaquar me këto sfida”, shkruan në komunikatë.