EULEX konfirmon paraburgimin për Ukë Rugovën

EULEX ka konfirmuar paraburgimin 30 ditësh për Deputetin e Kuvendit të Kosovës, Ukë Rugova dhe dy të akuzuarit tjerë Izet Beqiri dhe Florian Petani si dhe arrestin shtëpiak për gjashtë të akuzuar tjerë. Dje është mbajtur seanca dëgjimore ndaj tyre.

Lajme

07/02/2014 09:08

Misioni i Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka konfirmuar paraburgimin 30 ditësh për Deputetin e Kuvendit të Kosovës, Ukë Rugova dhe dy të akuzuarit tjerë Izet Beqiri dhe Florian Petani si dhe arrestin shtëpiak për gjashtë të akuzuar tjerë.

“Dje një gjyqtar ndërkombëtar në Gjykatën Themelore të Prishtinës e caktoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për tre të pandehur të akuzuar në lidhje me pretendimet për sigurimin e kundërligjshëm të vizave Schengen nga Ambasada e Italisë në Kosovë. Njëri nga të pandehurit, Ukë Rugova është deputet i Kuvendit të Kosovës”.

“Gjashtë të pandehurve të tjerë u është caktuar masa e arrestit shtëpiak. Ndërsa, në lidhje me të pandehurin e dhjetë nuk është caktuar ndonjë masë kufizuese. Të gjithë të pandehurit akuzohen për veprën e Krimit të Organizuar në lidhje me veprat Shpërdorim i Pozitës Zyrtare, Ushtrim i Ndikimit dhe Mashtrim”.

“Rasti është duke u ndjekur penalisht nga një prokuror ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës”, thuhet në komunikatën e EULEX.

Të gjitha palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi.