EULEX-it i ‘vazhdohen’ kompetencat

Në mungesë të miratimit të ligjeve përkatëse, misioni i EULEX-it nuk do të mund t’i transferojë kompetencat ekzekutive gjatë shtatorit tek institucionet e Kosovës nga sistemi gjyqësor e prokurorial.

Lajme

13/08/2014 13:01

Sipas Marrëveshjes së ratifikuar në Kuvend ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, që ishte realizuar në formën e letërkëmbimit mes presidentes Atifete Jahjaga dhe baroneshës Catherine Ashton, përveç vazhdimit të misionit të EULEX-it deri në qershorin e vitit 2016 dhe themelimit të Gjykatës Speciale për krime lufte, në bazë të një strategjie të Qeverisë, parashihej edhe miratimi i disa ligjeve me anë të të cilave EULEX-i u kalonte kompetencat në fushën e Gjyqësorit dhe Prokurorisë Speciale organeve kompetente të Kosovës.

Mirëpo, këto ligje kishin mbetur pa u miratuar për faktin se Kuvendi ishte shpërndarë.

Marrëveshja parashihte që EULEX-i t’i përmbyllte rastet që i kishte në procedurë dhe nga 1 shtatori i këtij viti të mos fillonte me trajtimin e rasteve të reja, duke ia transferuar këtë kompetencë Prokurorisë Speciale të Kosovës, shkruan Tribuna.

Megjithatë, baza ligjore nuk është krijuar, kështu që tani pritjet janë që edhe pas 1 shtatorit të ketë një lloj koordinimi i vendorëve me EULEX-in mbi bazën e Marrëveshjes së ratifikuar.