EULEX informon Kuvendin për zgjedhjet

Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri ka pranuar një raport informues nga EULEX. Ky raportim për Rexhep Selimin, është raportimi i parë simbolik i këtij misioni karshi institucioneve të Kosovës.

Lajme

06/12/2013 13:14

EULEX ka gëzuar anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri kur u ka dërguar atyre një informatë për punën e strukturave të rendit dhe sigurisë gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe balotazhit të 1 dhjetorit.

Informacionet e sjella nga EULEX, për kryetarin e këtij Komisioni, Ahmet Isufi janë në vijën e kërkesës të këtij komisioni.

“Konsideroj se informata është në vijën e kërkesës tonë”.

“Misioni i ELUEX ka shpjeguar momentet kur Policia e Kosovës si instrument i sigurisë ka kryer obligimin e vet përveç në rastin e demolimit të 3 vendvotimeve në Mitrovicën e Veriut. EULEX thekson se është këshilldhënës, përkrahës dhe njëkohësisht në fazën e dytë mund të reagojë, pas Policisë së Kosovës. Pra përgjegjësia kryesore është tek Polica e Kosovës”.

“EULEX ofron sqarime se më tutje në bashkëveprim me Policinë e Kosovës dhe me KFOR’in dhe me instrumentet e tjera të sigurisë kanë ndërmarrë të gjitha masat, që më 17 nëntor dhe më 1 dhjetor të mos përsëriten raste të tilla, gjë që edhe ka ndodhur”.

“Falënderojmë EULEX’in për informatën që na e ka sjellë dhe për të gjitha komunikimet tona të ndërsjella që i kemi pasur deri më tani”.

Rexhep Selimi, informacionin e sjellë nga EULEX e quajti lajm të mirë, sepse sipas tij, anipse në mënyrë simbolike, ky informacion i sjellë në këtë Komision, është “raportimi i parë i EULEX” karshi institucioneve të Kosovës.

“Është lajm i mirë që EULEX ka sjellë këtë vlerësim”.

“Është lajm i mirë, aq më tepër që kjo informatë ka ardhur drejtpërdrejt nga kreu i EULEX’it. Kështu që do të ishte mirë që në këtë hap të vazhdon misioni i EULEX’it t’i përgjigjet çdo institucioni të zgjedhur të Republikës së Kosovës gjë që nuk ka ndodhur më herët”.

“Me këtë shkresë EULEX së paku simbolikisht i raporton institucioneve të zgjedhura të Kosovës”.

Në Komision u diskutua edhe informacionet e sjella nga Policia e Kosovës dhe Inspektoriati i Policisë.

Ahmet Isufi falënderoi këtë institucion për informacionet e sjella, njëkohësisht tha se Policia e Kosovës ka qenë në gatishmëri gjatë zgjedhjeve dhe ato kanë shkuar mirë.

Isufi tha se do të mbajë një takim me Komisionin për Buxhet dhe Financa për të parë nëse ndarja e buxhetit do të plotësojë të gjitha kërkesat e organeve që udhëheq Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri.