EULEX-i ua lë vendorëve gjykimin për vrasjen e policëve të UNMIK-ut

EULEX-i ka hequr dorë nga gjykimi i katër personave për vrasjen e dy policëve të UNMIK-ut në vitin 2004.

Lajme

03/04/2018 11:15

Lajmin për këtë heqje dorë të EULEX-it e bëri të ditur për KALLXO.com kryetarja e Gjykatë Themelore në Prishtinë Afërdita Bytyqi.

Bytyqi tregoi se lënda i është kthyer gjyqtarit që e kishte atë, para se ta merrte EULEX-i.

Witold Jakimo, ushtrues detyre i kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it më 8 nëntor 2017 kishte dërguar në KGJK kërkesën që rasti i vrasjes s zyrtarëve të UNMIK-ut të gjykohet nga një trup i përbërë me shumicë dhe me kryesues nga Misioni Europian për Sundim të Ligjit.

Rasti ishte marrë nga EULEX-i me arsyetimin se ky gjykim ishte shumë i ndjeshëm, për arsye se lidhej me vrasjen e një zyrtari ndërkombëtar.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiçmari e Faik Shaqiri.

Më 23 mars 2004 gjatë trazirave të atëhershme ishin vrarë dy zyrtarë të UNMIK-ut, ndërsa të akuzuarit përveç për vrasje të tyre ngarkohen edhe për vrasje në tentativë.

Të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm më 12 tetor./kallxo