EULEX-i thotë se ishte duke e hetuar gjyqtarin Simmons për pretendime të rënda

Pas lajmeve të publikuara në media në lidhje me gjyqtarin Malcolm Simmons, EULEX ka lëshuar një komunikatë për media. Thotë se ka qenë duke e hetuar atë.

Lajme

16/11/2017 16:32

“Lidhur me pyetjet më të fundit të mediave, EULEX-i deklaron si në vijim: Përgjatë vitit të kaluar, Malcolm Simmons ka qenë objekt i disa hetimeve të pavarura në lidhje me disa pretendime të rënda kundër tij. Këto hetime janë duke u bërë nga një ekip, i cili është krijuar dhe që ndodhet në Bruksel, i kryesuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Këto pretendime janë në faza të ndryshme të hetimeve, kurse disa prej tyre janë dërguar në një Bord Disiplinor dhe tani janë në pritje të vendimit të këtij Bordi. Të tjerat janë në vijim e sipër”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Në këtë njoftim thuhet se BE-ja dhe EULEX-i zbatojnë politikë të zero-tolerancës për sjellje të papërshtatshme dhe keqbërje, ndërsa të gjithë pjesëtarët e Misionit janë përgjegjës për veprimet e tyre.

“Prandaj, të gjitha pretendimet e paraqitura së fundmi nga z. Simmons janë trajtuar me seriozitetin e njëjtë dhe, po ashtu, kanë rezultuar me hetime që janë në proces dhe duke u zhvilluar në të njëjtën mënyrë sikur edhe ato kundër tij, do të thotë në përputhje me kornizën e aplikueshme, Kodin e Sjelljes dhe Disiplinës për Misionet civile të PPSM të miratuara nga Këshilli në qershor 2016. Nga z. Simmons është kërkuar që t’i paraqesë të gjitha provat që i posedon në mbështetje të pretendimeve të tij, por – për fat të keq – ai këtë nuk e ka bërë ende”, thuhet në njoftim.

EULEX-i thotë se nuk e paragjykon epilogun e hetimeve të tanishme dhe i mirëpret përfundimet e tyre të cilat përshtatshmërish do të bëhen publike.

“EULEX-i dëshiron të theksojë se është Mision i Sundimit të Ligjit me mandat të asistojë autoritetet vendore”, thuhet në njoftim.

E përditshmja franceze “Le Monde” ka njoftuar se ka dhënë dorëheqjen kryetari i Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons.

“Javëve të fundit, kam raportuar disa raste korrupsioni brenda misionit. Në veçanti, kam ngritur çështjen e hakimit të e-mailit tim nga një tjetër gjyqtar i EULEX-it. Kam kërkuar nga Zyra Britanike për Marrëdhënie me Jashtë dhe BE-ja të dërgojnë rastin në polici. Të dyja refuzuan të më mbështesin”, ka thënë Simmons.

Ai ka vazhduar me akuza të tjera ndaj misionit, duke e cilësuar tërësisht politik.

“EULEX-i nuk është misioni i promovimit të sundimit dhe ligjit. Është një mision politik. Kushdo që mendon ndryshe, është naiv ose i marrë,” ka thënë Simmons.

Ai ka qenë gjyqtar që nga fillimi i misionit më 2008-ën derisa nga viti 2014 ka kryesuar asamblenë e Gjykatësve të EULEX-it.