EULEX-i pritet të hetohet edhe nga OLAF-i

Misioni i cili në Kosovë ka ardhur për të ndihmuar në vendosjen e sundimit të ligjit, si dhe për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivel të lartë, EULEX, tash është gjendur në situatë ku është akuzuar për përfshirje në korrupsion të nivelit të lartë.

Lajme

11/12/2014 08:10

Dhe kjo është “dramatike” për shumë deputetë të Parlamentit Evropian, të cilët edhe më herët ishin shprehur se “janë të alarmuar me mungesën e rezultateve nga ana e EULEX-it”, shkruan Koha Ditore.

Këto pohime janë bërë para disa ditësh në një debat në Komisionin për kontrollin buxhetor të Parlamentit Evropian, ku në prani të Keneth Dean, shefit të Operacioneve Civile në Shërbimin e Jashtëm të BE-së, nën të cilin është edhe EULEX-i, është diskutuar për misionin evropian në Kosovë.

Që në fillim të debatit kryesuesja kishte shprehur shqetësimin e saj serioz për mungesë të rezultateve nga ana e misionit të EULEX-it dhe sidomos tash, pasi në shesh kanë dalë dyshimet serioze për përfshirje të stafit të EULEX-it në afera korrupsioni dhe keqpërdorim të mandatit.

Në këtë debat, në Komisionin për kontrollin buxhetor të Parlamentit Europian, i cili ishte i hapur për opinionin, është thënë se Zyra e BE-së për Luftë Kundër Mashtrimeve (OLAF) ka njohur këtë komision se ka për qëllim të nisë hetimet kundër EULEX-it./Koha Ditore/