EULEX-i me mision të ri në Kosovë deri më 2020-ën

Këshilli Evropian ka vendosur sot që të rifokusojë mandatin e misionit të sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX.

Lajme

08/06/2018 14:12

Vendimi i sotëm sjell fundin e pjesës ekzekutive në gjyqësor të mandatit të misionit në Kosovë.

“Kosova do të marrë përgjegjësinë për të gjitha hetimet, ndjekjet penale dhe gjykimet e transferuara”, thuhet në njoftimin e Këshillin Evropian.

Që nga 14 qershori, misioni do të përqëndrohet në: monitorimin e rasteve të zgjedhura dhe gjykimeve në institucionet penale dhe civile të Kosovës, monitorimin, mentorimin dhe këshillimin e shërbimit korrektues të Kosovës duke vazhduar mbështetjen operacionale për zbatimin e marrëveshjeve të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

“Misioni do të mbajë disa përgjegjësi të kufizuara ekzekutive në fushat e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe mbështetjen për dhomat e specializuara dhe prokurorinë e specializuar, si dhe përgjegjësinë për sigurimin e mirëmbajtjes dhe promovimit të sigurisë si përgjegjës i dytë i sigurisë”, vazhdon njoftimi.

Misioni i themeluar 10 vjet më parë, ka pasur dy objektiva operacionale: monitorimin, mentorimin dhe këshillimin, ofrimin e mbështetjes së institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë dhe dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe një objektiv ekzekutiv, mbështetjen dhe gjykimin e çështjeve kushtetuese dhe civile dhe gjithashtu ndjekjen penale të rasteve kriminale.

Vendimi i Këshillit parashikon që mandati i rishikuar të zgjasë deri më 14 qershor 2020.

Gjithashtu, ai cakton një buxhet të kombinuar për operacionet e misionit në Kosovë dhe për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit special prej 169.8 milionë euro për dy vjet (15 qershor 2018 – 14 Qershor 2020).

“Buxheti do të mbulojë shpenzimet e misionit të EULEX-it në Kosovë prej 83.6 milionë euro për zbatimin e mandatit të saj në Kosovë. 86.2 milionë euro do të mbështesin dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit special”, theksohet në njoftim.

Minisoni i EULEX-it në Kosovë është nisur në vitin 2008. Selia e misionit është e vendosur në Prishtinë, Kosovë. Alexandra Papadopoulou ka qenë udhëheqësja e misionit që më 20 korrik 2016.

Më 5 qershor 2018, Komiteti Politik dhe i Sigurisë e zgjati mandatin e saj deri më 14 qershor 2019.