EULEX i gatshëm të zbatojë marrëveshje të reja

Misioni i EULEX-it është i gatshëm që të zbatojë marrëveshjet e reja që do të dalin nga dialogu Kosovë-Serbi.

Lajme

18/04/2014 21:25

Këtë gjë e ka thënë shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt gjatë një vizite që bëri në rajonin e Gjilanit, ku vizitoi Gjykatën Themelore të Gjilanit si dhe vizitoi pikëkalimi kufitar te Dheu i Bardhë.

Borchardt tha se marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit, po ecën me lehtësi, dhe se nuk ka pasur asnjë telashe të raportuar, në këtë drejtim.

“Këtu kemi të bëjmë me marrëveshjet lidhur me pikë-kalimet kufitare apo administrative dhe kjo është duke shkuar me shumë lehtësi. Kolegët tonë nuk kanë raportuar për ndonjë problem të konsiderueshëm, kurse gjërat e vogla mund të zgjidhen”.

“Natyrisht, ne jemi të gatshëm që t’i zbatojmë edhe marrëveshjet tjera të arritura ndërmjet Prishtinës e Beogradit”, tha Borchardt pas takimit me policët kufitar”.

Sipas një komunikate nga zyra e tij për medie, thuhet se shefi i misionit ka thënë se prioriteti i EULEX-it është zgjerimi dhe thellimi i këtij partneriteti në fushat tjera të Sundimit të Ligjit ku është i përfshirë EULEX-i.