EULEX-i do të vendosë për zëvendësimin e gjyqtarit Carolan

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se procedurat e zëvendësimit të gjyqtarit të larguar të Gjykatës Kushtetuese do të nisin së shpejti nga misioni për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX.

Lajme

15/09/2014 20:10

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar ka thënë se e respekton vendimin e gjyqtarit Robert Carolan për t’u larguar nga Gjykata Kushtetuese.

“Ne e mirëpresim kontributin e rëndësishëm të gjyqtarit Carolan në punën e Gjykatës Kushtetuese dhe e respektojmë vendimin e tij për të mos vazhduar shërbimin në Kosovë dhe në komunitetin ndërkombëtar”, tha ai.

Zbogar është shprehur se është në dijeni se largimi i Carolan nga Kosova lidhet me arsye personale.

“EULEX shumë shpejt do të nisë procedurat për emërimin e një anëtari të ri ndërkombëtar të Gjykatës, në përputhje me shkëmbimin e letrave të ratifikuara në Kuvendin e Kosovës, më 1 prill 2014”, tha Zbogar.

Për çështjen e zëvendësimit të gjyqtarit Carolan, BIRN ka dërguar pyetje edhe te Zyra e Presidentes së Kosovës, e cila bën dekretimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por nuk ka marrë ende përgjigje.

Puna e gjyqtarit Carolan është përshëndetur edhe nga Ambasada e SHBA-ve në Kosovë, shtet nga i cili vie gjyqtari.

“Ne vendosmërisht besojmë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka përfituar nga Gjykatësi Carolan dhe se Gjykata do të vazhdojë të zhvillohet dhe të veprojë në mënyrë transparente në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e pavarura të Kosovës. Lidhur me procedurat e mëtutjeshme drejtojuni përfaqësuesve të Bashkimit Evropian”, ka thënë Ambasada Amerikane në përgjigjen e vet.