EULEX i anshëm vetëm ndaj krimit

Berndt Borchardt thotë se EULEX do që të shohë më shumë veprime në luftimin e korrupcionit, më shumë hetime penale dhe më shumë gjykime. Sipas tij, EULEX është i gatshëm ta ndihmojë Kosovën në këtë drejtim.

Lajme

20/10/2013 20:32

Shefi i EULEX’it, Bernd Borchardt, mohoi mundësinë që ky mision të jetë i anshëm në punën e vet, duke thënë se EULEX është i anshëm vetëm kur bëhet fjalë për luftën kundër krimit.

“Nuk mendoj se jemi të anshëm. Ne jemi të anshëm vetëm ndaj kriminelëve dhe kur i gjejmë ata, i arrestojmë, ose i arreston Policia e Kosovës, ndërsa ne i ndjekim”, ka thënë Borchardt në një intervistë për emisionin “Slobodno Srpski”.

Sipas tij, tashmë shumica e lëndëve punohen bashkë me prokurorët kosovarë. Borchardt ka thënë se EULEX i gjykon lëndët ndërsa shumica e tyre punohen bashkë me gjykatësit kosovarë.

“Kjo nënkupton anshmëri ndaj kriminelëve, por jo anshmëri në ndonjë kuptim tjetër”, ka specifikuar ai.

Borchardt ka thënë se në hetimin e vrasjes së doganierit lituanez Audrius Senavicius po marrin pjesë 20 inspektorë policorë ndërkombëtarë, të cilët, sipas tij, bashkëpunojnë me organet përgjegjëse të Kosovës dhe Serbisë.

“I kam thënë nënës e cila kishte ardhur te trupi i të birit të vrarë se ne nuk do të lëmë gur pa lëvizur për t’i gjetur personat që e kanë vrarë atë, dhe këtë do ta bëjmë”, ka thënë Borchardt, ndërsa apeloi prapë te qytetarët që kanë ndonjë informacion rreth rastit që ta lajmërojnë EULEX’in.

I pyetur se si e komenton Raportin e Progresit të Komisionit Europian i cili Kosovën edhe më tej e sheh si zonë kriminaliteti dhe korrupcioni, shefi i EULEX’it tha se ka ende shumë punë për t’u bërë, sidomos në luftën kunër korrupcionit dhe krimit të organizuar.

“Duam të shohim më shumë veprime në parandalimin e korrupcionit, më shumë hetime penale dhe më shumë gjykime dhe ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën në këtë drejtim, për aq sa Kosova konsideron se i duhet ndihma jonë”, tha Bernd Borchardt, në intervistë për emisionin “Slobodno Srpski”.